Jahjaga dënon ashpër dëmtimin e varrezave të hebrenjve
Prishtinë, 1 dhjetor - Presidentja e Republikës së Kosovës, zonja Atifete Jahjaga e dënon fuqishëm dëmtimin e varrezave hebraike në Prishtinë.
Dëmtimi i varrezave paraqet një akt në kundërshtim të plotë me traditat e vlerat e popullit të Kosovës, të mbështetura në tolerancë dhe respekt të plotë për të gjithë të vdekurit dhe të gjitha monumentet.
Ky akt i dëmtimit të varrezave të hebrenjve, ndaj të cilave qytetarët dhe institucionet e Kosovës kanë treguar përkujdesje të veçantë, është në kundërshtim edhe me qëndrimin e popullit shqiptar, i cili, edhe në periudhat më të rënda, i ka dalë në mbrojtje hebrenjve.
Presidentja e Republikës u bën thirrje mekanizmave të sigurisë që të kapin autorët e këtij akti të shëmtuar dhe ti nxjerrin ata përpara drejtësisë.