Jahjaga dekoroi Princin Charles me Urdhrin për Paqe e Demokraci
Prishtinë, 19 mars - Presidentja e Republikës së Kosovës, Atifete Jahjaga priti sot në takim Lartmadhërinë e Tyre, Princin e Wales-it dhe Dukeshën e Cornwall-it me të cilët diskutoi për zhvillimet e gjithmbarshme në Kosovë.
Presidentja Jahjaga falënderoi Lartmadhërinë e Tij, Princin Charles për rolin qenësor të Britanisë së Madhe për lirinë dhe pavarësinë e Kosovës, dhe në ndërtimin e një demokracie të qëndrueshme në vendin tonë.
Presidentja Jahjaga theksoi se vizita e Lartmadhërisë së Tyre në Kosovë rikonfirmon lidhjet e veçanta dhe të fuqishme ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Mbretërisë së Bashkuar.
Presidentja Jahjaga dhe Lartmadhëria e Tij Princi i Wales-it, diskutuan për thellimin e bashkëpunimit ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Britanisë së Madhe, për përparimin e Kosovës në ndërtimin e shtetit demokratik si dhe për njohjen ndërkombëtare të Kosovës. Presidentja Jahjaga theksoi se përkrahja e Britanisë së Madhe në këtë proces do të vazhdojë të jetë e rëndësishme.
Presidentja Jahjaga dhe Princi i Wales-it diskutuan edhe për angazhimin e përbashkët të Kosovës dhe Britanisë së Madhe për ruajtjen dhe promovimin e tolerancës ndërfetare dhe parandalimin e dhunës seksuale gjatë luftës. Në takim u diskutua edhe për zhvillimin ekonomik të vendit dhe vazhdimin e reformave për krijimin e mundësive të reja për të rinjtë e Kosovës.
Presidentja Jahjaga me këtë rast, dekoroi Lartmadhërinë e Tij Princin e Wales-it me Urdhrin për Paqe, Demokraci dhe Humanizëm Dr. Ibrahim Rugova, për kontributin e tij jetësor në përkrahje të paqes, harmonisë dhe mirëkuptimit ndërmjet popullit të Kosovës dhe më gjerë.