20 Janar 2025

Jahjaga bëri homazhe në Gjakovë

Gjakovë, 27 prill - Në shënim të 27 Prillit – Ditës së të Pagjeturve të Kosovës, Presidentja e Republikës së Kosovës,  Atifete Jahjaga bëri sot homazhe në Kompleksin Memorial në Çabrat të Gjakovës, si dhe në Varrezat e Martirëve në Mejë.


Gjatë homazheve, Presidentja Jahjaga u shoqërua nga kryetarja e Gjakovës, zonja Mimoza Kusari-Lila dhe kryetarja e OJQ \'\'Thirrjet e nënave\'\', zonja Nysrete Kumnova.

Në një deklaratë bërë pas homazheve, Presidentja Jahjaga theksoi:


\"Kam ardhur këtu që të jem së bashku me familjarët e të pagjeturve, që të ndajmë dhimbjen dhe brengën e madhe për më shumë se 1700 qytetarë tanë, fati i të cilëve ende nuk dihet, edhe 15 vjet nga përfundimi i luftës\", ka theksuar ajo.
Sipas saj në Gjakovë dhe në Mejë, në Ditën e të Pagjeturve, ka ardhur jo vetëm për të përkujtuar dhimbjen, jo vetëm për përkujtuar brengën e madhe, jo vetëm për të përkujtuar tragjedinë e madhe që e kanë përjetuar këta familjarë dhe të gjithë qytetarët tanë gjatë luftës në Kosovë, një lufte të tmerrshme që ka ndodhur në shtetin tonë. 


\"Por, që me praninë time, të tregojmë, si përfaqësues të institucioneve, se përkrahim qasjen për drejtësi dhe nevojën për drejtësi, jo vetëm për familjet e të pagjeturve, por edhe për të gjithë qytetarët tanë. Sepse, kjo plagë do të mbyllet vetëm atëherë kur të përmbyllet kjo përvojë e hidhur dhe kjo histori e hidhur për shtetin tonë, për të gjithë qytetarët e Republikës së Kosovës\", ka pohuar ajo. 


Sipas saj ende nuk kemi arritur që të zbardhim fatin e qytetarëve tanë që janë zhdukur gjatë luftës.

\"Përkundër punës së madhe, përkundër rezultateve që janë arritur deri tash, kërkohet ende punë e madhe, kërkohet një angazhim shumë i madh i të gjithë neve, veçanërisht i institucioneve, që të zbardhim fatin e secilit qytetar, i cili ende regjistrohet si i zhdukur. Ky ka qenë një nga përkushtimet e mia dhe vazhdon që të jetë një ndër përkushtimet e mia gjatë gjithë punës sime si Presidente dhe do të vazhdoj që ta ngris këtë çështje si brenda ashtu edhe jashtë Kosovës.\", ka pohuar ajo

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)