Jahjaga, anëtare nderi e Këshillit Kombëtar Shqiptaro-Amerikan
New York, 24 shtator - Presidentja e Republikës së Kosovës, zonja Atifete Jahjaga mori pjesë sot në manifestimin e shënimit të 15-vjetorit të aktivitetit të Këshillit Kombëtar Shqiptaro-Amerikan (KKSHA).
Në këtë manifestim, me mirënjohje të veçantë, për kontributin e madh të dhënë për Kosovën, u nderua ish-kryeministri britanik, Toni Bler. Gjithashtu, për kontributin për Kosovën, u nderua, post mortem, edhe diplomati i madh amerikan, Riçard Hollbruk.
Në manifestim ishin të pranishëm edhe kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi, kryeministri i Shqipërisë, Sali Berisha, zëvendëskryeministri i Maqedonisë, Musa Xhaferi, ambasadorja e SHBA në Kombet e Bashkuara, Rosemary DiCarlo, zëvendësndihmëssekretari amerikan i Shtetit për Evropë dhe Euroazi, Philip Reeker, kongresisti Eliot Engël e figura të tjera të rëndësishme nga fusha e politikës, artit, biznesit e fusha të tjera.
Në këtë manifestim, Presidentja Atifete Jahjaga u shpall anëtare nderi e Këshillit Kombëtar Shqiptaro-Amerikan.
Presidentja Jahjaga me këtë rast mbajti fjalim ku përmendi kontributin e shoqatave patriotike, të Ligës Qytetare Shqiptaro-Amerikane që vepruan në SHBA, dhe sidomos dëshiroj të përmend veprën e presidentit Ibrahim Rugova, liderin e pluralizmit në Kosovë, që projektoi idenë e miqësisë në mes Kosovës dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës.
"Ideali i lirisë, i cili qëndron i brumosur në themelet e botëkuptimit të qytetërimit amerikan është bërë vlerë e përbotshme dhe shërben si frymëzim për të gjithë popujt e mbarë rruzullit, duke respektuar vlerat themelore të lirisë dhe të dinjitetit njerëzor."
Simbolika e mbledhjes në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, sipas saj shpreh miqësinë e përjetshme që e ka populli ynë me popullin amerikan, që bëri që të jemi të lirë dhe të pavarur, të dinjitetshëm dhe të barabartë me kombet e vendet e tjera që e bëjnë historinë.
Bërja dhe stabilizimi i Shqipërisë, si rrëfimi më i suksesshëm i historisë, ndër të tjera,sipas saj i referohet në masë të madhe kontributit të jashtëzakonshëm të komunitetit shqiptaro-amerikan.
Jahjaga tha me tutje se gati njëqind vjet më vonë, bërja dhe stabilizimi i shtetit të Kosovës, si rrëfimi tjetër më i suksesshëm i historisë sonë kombëtare, i referohet pikërisht kontributit të jashtëzakonshëm, të pashembullt dhe të papërsëritshëm të komunitetit shqiptaro-amerikan.
"Ky kontribut nënkupton të gjitha format e mbështetjes për Kosovën, prej protestave, ndihmës materiale e lobimit, të organizimit politik e deri te sakrifica më sublime, duke mos e kursyer as jetën. Këtu më duhet ta përmend me krenari luftën e lavdishme të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe kontributin e batalionit Atlantiku."