Jahjag mban të fshehur dekretin antikushtetues
Prishtinë, 11 prill - Presidentja Atifete Jahjaga nuk ka lënë gjurmë të një dekreti, me të cilin, sipas juristëve, ajo shkel aktivisht Kushtetutën. Dokumenti nuk ndodhet i publikuar në Gazetën Zyrtare.
Janë të publikuara shtatë dekrete të firmosura nga Presidentja gjatë këtij viti dhe 24 të firmosura vitin e kaluar, por jo edhe ai me të cilin është emëruar Blerim Shala koordinator politik i dialogut për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.
Dekretin për Shalën ajo e ka bërë të njohur nëpërmjet një informate adresuar medieve, e që ndodhet edhe në Webfaqen zyrtare të Presidencës. E tëra ka këtë përmbajtje:
Presidentja e Republikës së Kosovës, zonja Atifete Jahjaga, bazuar në Kushtetutën e Republikës së Kosovës, nenin 83 dhe nenin 84, pika 2 dhe pika 4, dekretoi zotëri Blerim Shalën, koordinator politik në dialogun për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Republikës së Serbisë.
Koha Ditore ka raportuar të mërkurën se presidenten Jahjaga e bëjnë shkelëse të Kushtetutës veprimet e Shalës. Prej 22 nëntorit të vjetëm kur është dekretuar, Shala ka vazhduar të jetë deputet dhe të marrë pagë nga Kuvendi, ka vazhduar të mbajë postin e nënkryetarit të AAK-së dhe të marrë pagë nga kjo parti, si dhe pas dekretimit ka nisur të realizojë të ardhura nga Qeveria, por edhe është vendosur me zyrë në ekzekutiv. Sipas juristëve, autorizimet që presidentja ia ka deleguar Shalës nuk janë duke u përmbushur në harmoni me Kushtetutën.
Shkaku i mungesës së publikimit të dekretit në Gazetën Zyrtare, ka juristë që kufizohen në interpretimin nëse veprimet e Shalës janë në harmoni me aktin më të lartë juridik të shtetit.
Gazeta ka kontaktuar dy ish-gjyqtare të Gjykatës Kushtetuese, që kanë përfunduar mandatin vitin e shkuar: Gjylieta Mushkolaj e Iliriana Islami.
Të dyja ishin pjesë e vendimmarrjes, kur Kushtetuesja pati dhënë verdiktin se presidenti Fatmir Sejdiu po e shkelte Kushtetutën duke mbajtur njëkohësisht postin e shefit të shtetit dhe të kryetarit të një partie, përkatësisht LDK-së.
Po kështu, ato kanë qenë pjesë edhe e vendimit të kësaj Gjykate, kur ka vendosur ta shpallë kundërkushtetuese procedurën e zgjedhjes së Behgjet Pacollit për president. Edhe Sejdiu, edhe Pacolli ishin detyruar të largoheshin nga maja e pushtetit, pas vendimeve të gjykatës.