Jahajga: Kemi përmbushur detyrimet e BE-së
Prishtinë, 6 shtator - Presidentja e Republikës së Kosovës, zonja Atifete Jahjaga, e cila po qëndron për vizitë zyrtare treditore në Bruksel, pati mbrëmë një takim të gjatë pune me z.Stefan Fule, Komisionar i BE për Zgjerim dhe Politika të Fqinjësisë.
Në takim u diskutua progresi i Kosovës në procesin e integrimit evropian, si dhe u diskutua mundësia e avancimit të Kosovës dhe BE-së në nivel kontraktual, në përputhje me rekomandimet e mëhershme të Komisionit Evropian.
Presidentja Jahjaga tha se marrëdhënia kontraktuale me BE-në do të ndihmonte Kosovën në rrugën e integrimeve dhe në thellimin e reformave të brendshme Presidentja Jahjaga tha se Kosova ka përmbushur të gjitha obligimet shtesë që janë kërkuar për hapje të dialogut për liberalizim të vizave dhe theksoi nevojën e fillimit të këtij procesi pa vonesë.
Komisionari Fule theksoi se Kosova duhet të intensifikojë zbatimin e reformave për realizimin e aspiratave për integrim në BE. Z. Fule gjithashtu e paralajmëroi vizitën e misionit vlerësues të Komisionit Evropian për të parë zbatimin e obligimeve të Kosovës për hapjen e dialogut për liberalizim të vizave.