Jacobson: Themelimi i Tribunalit është shenjë pjekurie
Prishtinë, 9 prill - Ambasadorja e Shteteve të Bashkuara në Kosovë, Tracey Ann Jacobson, është shprehur se Krijimi i Tribunalit për krimet e supozuara që janë bërë nga UÇK, është shënjë pjekurie për Kosovë.
Ajo theksoi se Kosova duhet të dërgojë sinjal se është e gatshme të marrë përgjgjegjësinë për t'u marrë me akuzat që i kanë qëndruar mbi kokë prej vitesh.
"Qeveria ime, së bashku me Bashkimin Evropian, kanë investuar më shumë se tri vjet në hetime të plota, transparente dhe të mira, të pretendimeve që janë ngritur në raportin e senatorit Marty në Këshillin e Evropës në 2010-tën", është shprehur ambasadorja Jacobson për REL.
Tracey Ann Jacobson shprehet se propozimi për Tribulalin për gjykimin e krimeve të supozuara që janë bërë nga UÇK gjatë luftës në Kosovë, nuk është tregues për mungesën e përgjegjësisë apo mungesën e përparimit në Kosovë.
"Mendoj se propozimi i për letër-këmbimin ndërmjet Kosovës dhe Bashkimit Evropian përfshin dy elemente: përfshin vendosjen e gjykatës speciale për t'u marrë me hetimet nga Task Forca për hetime speciale dhe gjithashtu përfshin ndryshimin e mandatit të EULEX-it që e njeh përparimin e arritur nga Kosova.
EULEX-i rëndom nuk do të marrë përsipër raste të reja, përveç nëse Qeveria e Kosovës nuk ia kërkon këtë. Ata do ta kryejnë vetëm punën që kanë tani. Prandaj, mendoj se kjo tregon pjekurinë e sistemit të drejtësisë të Kosovës.
Dëshiroj të theksoj se kam dëgjuar në media këtë idenë që e pasqyron këtë si tribunal për UÇK-në, gjë që është plotësisht e pavërtetë.
Është gjykatë që ka mundësi që do të gjykojë akuzat kundër individëve. Nuk është vlerësim i luftës së 1999-ës, apo vlerësim i ndonjë grupi të caktuar, fushë-veprimi i saj në të vërtetë është i kufizuar në pretendimet e ngritura në raportin e Marty-t.
Ne e shohim këtë si mundësinë më të mirë të Kosovës për ti qartësuar të gjitha çështjet dhe për të lëvizur përpara me çështjet të tjera më të rëndësishme, pa e pasur këtë njollë të këtij raporti.
Do të jetë gjykatë me personel ndërkombëtar. Do të jetë gjykatë e themeluar me kërkesë të Qeverisë së Kosovës, ku do të jetë selia jashtë vendit, këtë se dimë ende. Kjo do të jetë temë e një marrëveshjeje dypalëshe ndërmjet Kosovës dhe qeverisë së vendit që pajtohet për ta pritur selinë e dytë të gjykatës.
Sa kam kuptuar unë, fushë-veprimi i gjykatës nëse kjo gjykatë themelohet do të jetë i kufizuar në pretendimet e raportit të Marty-t", është shprehur ambasadorja e SHBA-së në Kosovë Tracey Ann Jacobson.
/rel/