Jacobson shpreh përkrahjen e fuqishme të SHBA për Kosovën
Prishtinë, 30 korrik Ministri i Punëve të Jashtme i Republikës së Kosovës, Enver Hoxhaj, ka zhvilluar të martën një takim me ambasadoren e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovë, Tracey Ann Jacobson.
Gjatë takimit, ministri Hoxhaj e ka informuar ambasadoren Jacobson për progresin në Kosovë, për avancimin e procesit të njohjeve, anëtarësimin në organizatat rajonale, evropiane e ndërkombëtare, si dhe për prioritetet e politikës së jashtme kosovare.
Hoxhaj ka theksuar avancimin e fuqishëm të agjendës integruese evropiane të Kosovës, duke vlerësuar rëndësinë e jashtëzakonshme që ka për Republikën e Kosovës përkrahja e fuqishme e SHBA-ve në rrugën e integrimeve euroatlantike.
Ministri Hoxhaj, me këtë rast, ka shprehur mirënjohjen e popullit dhe Qeverisë së Kosovës për përkrahjen që SHBA-të po japin për Kosovën, në të gjitha proceset.
Ambasadorja e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovë, Tracey Ann Jacobson, vlerësoi progresin e arritur në Kosovë.
Ambasadorja Jacobson shprehu përkrahjen e fuqishme të SHBA-ve për forcimin e mëtejshëm të subjektivitetit ndërkombëtar të Republikës së Kosovës, për proceset integruese euroatlantike si dhe për planet afatgjata të politikës së jashtme të Kosovës.
Ministri Hoxhaj dhe ambasadorja Jacobson kanë biseduar edhe për thellimin e mëtutjeshëm të bashkëpunimit bilateral ndërmjet SHBA-ve dhe Republikës së Kosovës.
Në këtë kontekst, u bisedua edhe për emërimin e një diplomati kosovar në Uashington, i cili do të merret ekskluzivisht me marrëdhëniet dhe shkëmbimet e fuqishme ndërmjet Kosovës dhe shtetit të Iowa-s, në SHBA.