Jacobson shpreh mbështetjen e plotë të SHBA-së për dialogun
Prishtinë, 7 mars - Ambasadorja e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovë, Tracy Ann Jacobson, ka shprehur sërish mbështetjen e plotë të qeverisë së Shteteve të Bashkuara për dialogun që po zhvillohet ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, me ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian.
Zonja ambasadore i ka bërë këto komente në një bisedë të shkurtër me Radion Evropa e Lirë.
"Jam shumë e lumtur që të kem rastin, që sërish të shpreh mbështetjen e plotë të Qeverisë së Shteteve të Bashkuara, për dialogun e sponsoruar nga Bashkimi Evropian, ndërmjet Kosovës dhe Serbisë. Duke iu falënderuar lidershipit të kryeministrit Thaçi, punës së madhe të të dyja palëve, dhe përpjekjeve të mëdha nga BE-ja dhe Baronesha Ashton personalisht, ky dialog ka të gjitha gjasat që të ketë sukses", ka theksuar Jacobson.
Normalizimi i raporteve me Serbinë sipas saj do të nënkuptojë përmirësimin e kushteve të jetës së të gjithëve qytetarëve, përfshirë ata në veri, dhe do të shtojë mundësitë për një zhvillim të vazhdueshëm ekonomik.
Siç është bërë e ditur në qëllimet dhe kërkesat e konkluzioneve të Këshillit të Evropës, normalizimi i raporteve, po ashtu, është kërkuar nga të dyja shtetet, në mënyrë që të ecin drejt integrimeve evropiane.
"Ka ende shumë gjëra në agjendë. Kemi dëgjuar shumë diskutime ditëve të fundit, për këtë idenë e Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe, që do të ishte në përputhje të plotë me Kushtetutën e Kosovës."
"Dhe, shpresoj se do të shohim lëvizje para për këtë gjë, dhe temat tjera kyçe, siç është zhbërja e strukturave paralele të sigurisë, gjatë ditëve të ardhshme. E di se kjo është një detyrë e vështirë, dhe ne vërtet e vlerësojmë vullnetin e mirë të shprehur nga të gjitha palët për të çuar përpara këtë gjë."