Jacobson fton për zgjedhje të lira
Prishtinë, 25 nëntor - Ambasadorja e SHBA-ve, Tracey Jacobson, u takua sot me përfaqësuesit e Rrjetit Evropian të Organizatava për Vëzhgimin e Zgjedhjeve (ENEMO) për të diskutuar përpjekjet ndërkombëtare për vëzhgimin e zgjedhjeve të 1 dhjetorit në Kosovë.
Më vjen mirë që ambasada e SHBA-ve po i bashkohet organizatave tjera ndërkombëtare si ENEMO-ja në vendosjen e vëzhguesve në vendvotime nëpër tërë Kosovën me 1 dhjetor, tha ambasadorja Jacobson.
Ne jemi duke shikuar nga afër dhe presim që përmirësimet e arritura në rrethin e parë të zgjedhjeve të ruhen. Nëse me 1 dhjetor procesi do të ketë defekte apo mashtrime përparimi i bërë në rrethin e parë të zgjedhjeve të nëntorit do të bëhet i pakuptimtë.
Poashtu, ne nxisim gjithë qytetarët e Kosovës që të vazhdojnë të raportojnë tek autoritetet e Kosovës çfarëdo problemi që ata shohin. Në zgjedhjet e nëntorit qytetarët bënë më shumë ankesa se kurdoherë më parë dhe ne presim nga policia e Kosovës dhe prokurorët të vazhdojnë përkushtimin e tyre për hetimin dhe ndjekjen e mashtrimeve të paraqitura. Qytetarët e Kosovës janë ata që janë më së miri të pozicionuar për të raportuar çfarëdo problemi apo parregullsie që ata e vërejnë dhe ne inkurajojmë të gjithë qytetarët: nëse shihni diçka, thuani diçka.
Ambasadores iu bashkangjit ekipi kyç i ENEMO-s, përfshirë Shefin e Misionit, z. Zllatko Vujoviq, dhe Shefin e Zyrës së Institutit Demokratik Kombëtar në Kosovë, z. Alexander Chavarria.
Përmes USAID-it Qeveria e SHBA-ve përkrahë përpjekjet e ENEMO-s për vëzhgimin e zgjedhjeve përmes Institutit Demokratik Kombëtar. USAID ka ndihmuar misionet e kaluara vëzhguese të ENEMO-s në Kosovë, përfshirë në vitet 2009 dhe 2010.
ENEMO punon në Kosovë në bazë të një ftese nga Presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga.