Jabllanoviq pret që shpejtë të themelohet Asociacioni
Prishtinë, 3 dhjetor - Tre deri në katër muaj pas formimit të qeverisë së Kosovës pritet edhe themelimi i Asociacionit të Komunave me shumicë serbe.
Këtë e ka konfirmuar për Radio Kosovën përfaqësuesi i listës serbe Aleksandër Jabllanoviq. Ai ka thënë se çdo afat tashmë është tejkaluar porse pret që shumë shpejtë të themelohet edhe ky asociacion.
Përderisa pritet që javën e ardhshme të konstituohet Kuvendi dhe të formohet qeveria, institucionet e reja do t`i presin edhe shumë punë të tjera. E një ndër to është edhe themelimi i Asociacionit të Komunave me shumicë serbe.
Përfaqësuesi i listës serbe Aleksandër Jabllanoviq, ka thënë për Radio Kosovën se, sipas disa paralajmërimeve më optimiste që ata kanë, mund të pritet themelimi i këtij asociacioni, më së largu 3 deri në 4 muaj pas konstituimit të Kuvendit dhe formimit të qeverisë së re.
Mendoj se edhe për themelimin e këtij asociacioni janë të interesuar edhe politikanët shqiptar në mënyrë që sa më shpejtë të përmbushet një prej pjesëve më të rëndësishme të marrëveshjes së Brukselit, e arritur mes palëve kosovare dhe asaj serbe me ndërmjetësimin e BE-së.
Duke folur rreth bashkëpunimit me juristë nga Kosova për themelimin e asociacionit, Jabllanoviq po ashtu ka thënë se çdo afat, për themelimin e tij, tashmë është tejkaluar.
Në këtë kuadër jemi plotësisht të gatshëm për bashkëpunim me juristë eminent të Kosovës dhe për këtë qëllim e them se tashmë është tejkaluar çdo afat për themelimin e asociacionit. Por, mendoj se afati i fundit tashmë është shumë afërt dhe tre deri në katër muaj pas formimit të institucioneve të Kosovës, pritet edhe themelimi i këtij asociacioni.
Ndërkohë, shefi i zyrës për Kosovën në qeverinë serbe, kishte deklaruar se Qeveria e Serbisë është duke e hartuar një statut për krijimin e asociacionit të komunave me shumicë serbe në Kosovë, i cili do të jetë në tavolinën e bisedimeve Prishtinë-Beograd.
Por, këtë e kishte hedhur poshtë kryeministri Hashim Thaçi, duke potencuar se asociacioni i komunave me shumicë serbe mund të themelohet duke respektuar ligjet e Kosovës.