Jabllanoviq duhet të shkarkohet dhe të shpallet person non grata
Gjakovë, 10 janar - Qendra e Lëvizjes Vetëvendosje! në Gjakovë, bashkë me organizatën Thirrjet e Nënave dhe qytetarët e Gjakovës, organizoi sot tubim protestues kundër ministrit të Qeverisë së Republikës së Kosovës, Aleksandër Jabllanoviq, dhe papërgjegjshmërisë së Qeverisë së Kosovës ndaj deklaratave fyese të këtij ministri kundrejt protestuesve në Gjakovë.
Koordinatori i Qendrës së Vetëvendosje!-s në Gjakovë, Driton Çaushi, tha para protestuesve se Jabllanoviq me deklaratat e tij simbolizon fashizmin serb, duke i fyer në mënyrë të paskrupullt qytetarët e Gjakovës.
Jo zotëri Jabllanoviq, Gjakovës dhe qytetarëve të saj ka kohë që nuk i ka ndodhur diçka më e egër e gjenocidale sesa krimet e shtetit që ti përfaqëson. E egër dhe fashiste është Serbia; heroike, çlirimtare dhe me plot dinjitet është Kosova dhe qytetarët e saj, theksoi Çaushi, duke shtuar se në këtë mënyrë Jabllanoviq edhe njëherë e dëshmoi se nuk është ministër i Republikës së Kosovës, por ministër i Serbisë brenda Qeverisë së Kosovës.
Ai ndër të tjera potencoi se është e rëndë që 16 vjet pas luftës, duhet që viktimat të dalin në mbrojtje të vetvetes, në një kohë kur ende nuk dihet për fatin e mbi 1600 të pagjeturve.
Nuk ka se si të befasohemi në situata të tilla, përderisa të gjitha qeveritë e pasluftës nuk dolën në mbrojtjen tonë. Të mos harrojmë kurrë se dy vite negociata u zhvilluan nga Qeveria e kaluar, pa e kushtëzuar asnjëherë Serbinë, as me zbardhjen e fatit të të pagjeturve dhe me ndjekjen e kriminelëve të luftës, tha Çaushi.
Qytetarët e Gjakovës sot nuk protestuan për të kërkuar kërkimfalje, por për të kërkuar shkarkimin e menjëhershëm të ministrit Jabllanoviq, dhe për ta shpallur atë person non grata. Nëse Isa Mustafa nuk e ka guximin ta bëjë një gjë të tillë, atëherë lë të shkojë edhe ai bashkë me Jabllanoviqin.
Neve si qytetarë nuk na mbetet gjë tjetër veçse të mos ndalemi së protestuari në mbrojtje të dinjitetit tonë. Deri në kthimin e të gjithë të pagjeturve. Deri në vënien e drejtësisë në vend. Deri në bërjen e Republikës.