Ivanoviq kërkon autonomi për veriun
Mitrovicë, 18 dhjetor - Përfaqësuesi i serbëve të veriut, Oliver Ivanoviq ka theksuar se serbët e veriut në asnjë rrethanë e për asnjë kusht nuk do të integrohen në institucionet e Prishtinës, sepse nuk u besojnë.
Prandaj, që kjo çështje të rregullohet duhet të gjendet një zgjidhje që do të jetë e pranueshme për të dyja palët, e kjo është dhënia e një autonomie për veriun e Mitrovicës, ka theksuar Ivanoviq, ish-sekretar për Kosovës në Qeverinë e kaluar serbe.
Sipas tij, autonomia për veriun, do të ishte një zgjidhje që do të kënaqte serbët në veri. E kjo do të duhej të ishte e pranueshme edhe për shqiptarët , për shkak se me autonomi nuk do të ketë ndarje të Kosovës, ashtu siç po ia kanë frikën shumica e tyre, ka thënë ai.
Sipas tij, shqiptarët duhet të jenë të vetëdijshëm se Serbia kurrë nuk do ta njohë pavarësinë e Kosovës, të paktën jo, siç thekson ai gjatë këtij shekulli.