Italia mbështetë rrugëtimin e Kosovës drejt BE-së
Itali, 8 korrik - Në kuadër të marrëdhënieve të shkëlqyeshme midis Republikës së Kosovës dhe Republikës së Italisë u zhvillua pranë Senatit Italian takimi midis Sekretares e Komisionit për Bilancin zj. Donatella Conzatti, Zëvenëspresidentes së Komisionit të Jashtëm zj. Laura Gravini dhe Ministrit të Administrimit të Pushtetit Lokal z. Elbert Krasniqi, i shoqëruar nga ambasadorja e Republikës së Kosovës në Itali zj. Lendita Haxhitasim.
Përgjatë këtij takimi u diskutuan tema me interes të ndërsjellët për të cilat parlamenti Italian mund të zhvilloj një rol të rëndësishëm në mbështetje të çështjeve si kandidimi i Republikës së Kosovës në anëtarësimin e saj në Këshillin e Evropës, liberalizimi i vizave si dhe konsolidimi i kontekstit socio-ekonomik më fokus përthithjen e investimeve.
Ministri Krasniqi theksoi gadishmërinë për të mbështetur shoqëritë italiane të cilat planifikojnë të investojnë në tregun e Kosovës i cili ofron fuqi punëtore të re dhe të kualifikuar.
Në anën tjetër zj. Conzatti, theksoi se Italia e mbështet rrugëtimin e Republikës së Kosovës drejt BE-së, ashtu si dhe drejt Këshillit të Evropës, pasi Kosova po dëshmon se është në rrugën e duhur drejt reformave, zhvillimit dhe promovimit të demokracisë dhe të drejtave të njeriut.
Kjo duhet të jetë një arsye e mirë për të shtyrë institucionet politike, ekonomike dhe kulturore për të krijuar mundësi të reja për të shkëmbyer përvojat në mes të dy vendeve të cilat jetojnë në simbiozë perfekte.