22 Janar 2025

Italia do të përkrah Kosovën për në BE

Romë, 22 janar- Presidentja e Republikës së Kosovës, Atifete Jahjaga, u prit sot në Romë nga Presidenti në detyrë i Republikës së Italisë, Pietro Grasso, me të cilin diskutoi për zhvillimin dhe avancimin e marrëdhënieve ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Republikës së Italisë.

Jahjaga bisedoi me Grasson, për zhvillimet e përgjithshme në Kosovë dhe rajon, si dhe theks i veçantë iu kushtua procesit të integrimit evropian të Republikës së Kosovës, angazhimit rreth reformave të brendshme, sundimin e ligjit dhe bashkëpunimin ekonomik ndërmjet dy vendeve.

Presidentja Jahjaga vlerësoi lart ndihmën që Italia i ka dhënë dhe vazhdon t’i japë Kosovës, e posaçërisht ndihmën e dhënë përmes KFOR-it dhe EULEX-it. Presidentja theksoi nevojën e zgjerimit dhe të thellimit të bashkëpunimit ndërmjet dy vendeve, dhe rëndësinë e intensifikimit të marrëdhënieve ekonomike ndërmjet të dy vendeve.

Presidenti në detyrë i Republikës së Italisë, zotëri Pietro Grasso, theksoi se Italia do të vazhdojë të lobojë për Kosovën dhe do të përkrah perspektivën evropiane të Kosovës. Presidenti Grasso tha se Kosova dhe Italia duhet të punojnë të zgjerojnë marrëdhëniet bilaterale ekonomike. Ai theksoi se rajoni i Ballkanit Perëndimor për Italinë ka rëndësi strategjike.

Presidentja Jahjaga zhvilloi edhe një takim në Parlamentin Evropian, ku u prit nga Presidentja e Dhomës së Deputetëve të Parlamentit Italian, zonja Laura Boldrini. Në këtë takim u diksutua për thellimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Italisë, si dhe intensifikimin e raporteve institucionale ndërmjet ty dyja vendeve. Presidentja Boldrini theksoi se e ardhmja e Kosovës është në Bashkimin Evropian dhe Italia do të jetë një përkrahës i madh i Kosovës në këtë rrugë.

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)