Isufi: Koalicioni PDK-LDK, nuk do funksionojë
Prishtinë, 17 maj - Koalicioni mes LDK-së dhe PDK-së nuk mund të funksionojë, gjë të cilën e ka vërtetuar edhe koha. Kështu ka deklaruar nënkryetari i AAK-së, Ahmet Isufi, duke iu referuar deklaratës së Isa Mustafës.
Në një intervistë për Epokën e re, Isufi ka deklaruar se koalicioni PDK - LDK ka treguar se nuk mund të funksionojë, ndaj ai i sugjeron LDK-së të bashkëpunojë me parti që kanë treguar se janë besnike.
Ju e dini se ka pasur prishje të koalicionit për interesa të individëve dhe klaneve të caktuara, prandaj nëse bazohemi në partneritet të sigurt, atëherë partitë politike duhet të jenë të vëmendshme se me kënd lidhin koalicion, ka thënë Isufi, duke shtuar se edhe në të ardhmen AAK-ja do të qëndrojë besnike në rast të hyrjes në koalicion qeverisës me ndonjë parti.
Gjithmonë kemi qëndruar besnikë në koalicione dhe do të jemi të tillë. Synimi ynë është ta marrim pushtetin dhe ta qeverisim Kosovën, është shprehur Isufi. Ndërkaq duke folur për ecurinë e procesit të brendshëm zgjedhor në AAK, Isufi ka thënë se gjithçka ka shkuar mirë.