Ish-sekretarja Albrajt do të shpallet qytetare nderi e Mitrovicës
Mitrovicë, 11 maj - Ish-sekretarja e shtetit, Medline Albrajt, mund të shpallet qytetare nderi e Mitrovicës. Për këtë janë dakorduar që të angazhohen drejtuesit e Komunës së Mitrovicës dhe ata të Shoqatës Miqtë e Amerikës.
Ky propozim është shtruar nga kryetari i Shoqatës Miqtë e Amerikës, Agim Rexhepi, i cili të premten është pritur nga nënkryetari i Komunës së Mitrovicës, Riza Haziri. Në takim Rexhepi, ka vlerësuar rolin e madh të ish-sekretares Albrajt për çështjen e Kosovës.
Në këtë kontekst, nënkryetari Haziri, ka shprehur respektin për punën e kësaj shoqate si dhe ka mirëpritur propozimin që ish-sekretarja Albrajt të shpallet qytetare nderi e Mitrovicës. Ai tha se kjo do të ishte nder për Mitrovicën dhe për Kosovën në përgjithësi.
Nënkryetari Haziri, tha se ky propozim do të shtrohet në të gjitha strukturat komunale në mënyrë që të procedohet me kohë. Ne do të angazhohemi që ky propozim të jetësohet, meqë kontributi për Kosovën i znj. Albrajt është shumë i madh.
Ndërsa, kryetari i Shoqatës Miqtë e Amerikës, ka shprehur respektin për mikpritjen dhe mbështetjen e ofruar nga drejtuesit komunalë. Ai u zotua për angazhim të gjithanshëm që të bëhet realitet ideja që znj.Albrajt të shpallet qytetare nderi e Mitrovicës.
Në takim ai ka folur edhe për aktivitet tjera të shoqatës që ai drejton, e që ka për qëllim ruajtjen dhe avancimin e miqësisë së Kosovës me SHBA-në.