Isa nuk është lider
Prishtinë, 13 korrik - Berim Ramosaj, anëtar i Këshillit të Përgjithshëm të LDK-së, ka thënë se Isa Mustafa po bën politikë me një grup aparatçikësh komunalë të Prishtinës, i ngjashëm me atë të Edi Ramës në Tiranë.
Ramosaj në këtë intervistë për Epokën e re ka thënë se ende nuk është duke i kuptuar reformat e nisura nga Isa Mustafa. Reforma, sipas tij, nuk do të thotë vetëm të ndërrohen disa njerëz.
Reforma nënkupton, reformë në strukturën organizative, reformë në program, reformë në qasje ndaj proceseve politike dhe zhvillimore, reformë karshi raporteve pozitë-opozitë. Pra, kështu unë i kuptoj reformat. Më së paku reformë është pjesa e ndërrimit të disa njerëzve, ka thënë Ramosaj.
Ramosaj ka folur edhe për grupet e ekspertëve në LDK. Ai ka thënë se ata janë ekspertë në thonjëza, njerëz të dëshmuar në fragmente të caktuara mikromjedise. Isa Mustafa, pasi ka fituar kreun e partisë, e ka pasur të drejtën ta formojë ekipin e vet dhe grupin e ekspertëve.
Mirëpo ato grupe ekspertësh së pari është dashur tia prezantojë Këshillit të Përgjithshëm të LDK-së, për ti dëshmuar se janë grupe të forta, ka thënë ai.
Ramosaj ka deklaruar se qasja e Isa Mustafës është jozhvillimore për LDK-në. Ai ka thënë se Isa Mustafa ka krijuar njëfarë vetëkënaqësie që është bërë kryetar i LDK-së. Ramosaj ka thënë se LDK-ja nuk ka lider. LDK-ja sot ka një menaxher të ri, Isa Mustafën, ka thënë Ramosaj.