Isa Mustafa zgjedhet kryetar i LDK
Prishtinë, 7 nentor - Me shumice votash, kryetar i ri i LDK u zgjodh Isa Mustafa. Pas përfundimit të procesit të votimit të fshehtë dhe numërimit të votave, u vërtetua se për Isa Mustafën votuan 235 delegatë, ndërsa për Fatmir Sejdiun 124.
Në fjalimin e tij falënderues, ai ftoi gjithë elektoratin e shpërndarë të LDK-së që të kthehen në, siç tha ai, familjen e tyre.
Krytari Isa Mustafa, tha se LDK ka sfida te medha para saj dhe se te gjithë që ndihen pjesë e saj, mund te kontribuojnë.
Ai tha se qeverisja në këto vite shkoi në rrugë të gabuar, duke konstatuar se në Kosovë ka depresion moral dhe ekonomik. Përmendi ngulfatjen e shtetit nga ana e grupeve të interesit, duke shquar edhe problemin e korrupsionit.
Duke marre këtë detyrë, ju ftoj të gjithëve që jeni pjesë e LDK, që ta ngrisim, ta ndërtojmë, të punojmë dhe të ecim bashkarisht, që gjithë elektorati të rikthehet ne familjen e LDK-se, tha Mustafa.
Ai po ashtu propozoi qe kryetari i deritashem i LDK-së, Fatmir Sejdiu, të shpallet kryetar nderi i LDK-së.
Në fjalimin e tij para delegatëve të partisë, Fatmir Sejdiu ka thënë se LDK-ja kombinon fuqishëm traditën dhe modernen.
Unë personalisht isha i sulmuar me qëllim të dobësimit të LDK-së, por kjo vetëm se do ta forcojë këtë parti është shprehur Sejdiu.
Ai u ka bërë thirrje bashkëveprimtarëve të LDK-së që kanë braktisur këtë parti që të bashkohen për një qëllim, për fitore. Nënkryetarja e LDK-së, Nekibe Kelmendi, për shkaqe shëndetësore nuk po merr pjesë në kuvendin VII të partisë.