Irlanda vazhdon përkrahjen për Kosovën
Prishtinë, 11 shkurt - Kryeministri i Republikës së Kosovës, Isa Mustafa, priti të enjten në takim ambasadorin e Irlandës në Hungari, jorezident në Kosovë, Pat Kelly.
Kryeministri Mustafa e njoftoi për progresin në Kosovë dhe përkushtimin e Qeverisë së Kosovës në zhvillimin ekonomik dhe proceset integruese evropiane.
Duke vlerësuar përkrahjen e Irlandës për Kosovën, kryeministri Isa Mustafa theksoi vullnetin për thellimin e bashkëpunimit ndërmjet dy shteteve, në veçanti në fushën e edukimit dhe të tërheqje së investimeve.
Qeveria e Kosovës, me përkrahjen e qytetarëve dhe të partnerëve ndërkombëtarë, është plotësisht e angazhuar në zhvillimin ekonomik të vendit, hapjen e vendeve të reja të punës, rritjen e mirëqenies sociale, proceset integruese evropiane dhe fuqizimin e institucioneve demokratike, tha kryeministri Mustafa.
Ambasadori i Irlandës, Pat Kelly, vlerësoi progresin që po arrihet në Kosovë, duke shprehur mbështetjen e shumanshme të Irlandës për proceset në Kosovë.
Ambasadori Kelly, po ashtu, shprehu përkushtimin e Qeverisë së Irlandës për bashkëpunim dhe për të ofruar përkrahje në zhvillimin ekonomik dhe proceset integruese evropiane.