Intervenimi i NATO-s, ngjarja më rëndësishme
Prishtinë, 24 mars - Intervenimi i Organizatës më të fuqishme botërore ushtarake - i NATO-s, mbi pozicionet e ushtrisë dhe policisë serbe më 1999, është ngjarja më e rëndësishme e shekullit të shkuar për këtë aleancë, duke konfirmuar faktin se liria është vlera më e lartë e shoqërisë demokratike. Kështu thuhet në mesazhin e Kryeministrit të Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, me rastin 11 vjetorit të fillimit të bombardimeve të NATO-s.
Në vitet 1998-1999, Kosova kishte hyrë në rrugën e pakthyeshme të rezistencës kundër okupimit shekullor, duke u ballafaquar me njërin nga regjimet më diktatoriale, që nëpërmjet ushtrisë, policisë dhe formacioneve paramilitare ushtronte dhunë, djegie, gjenocid dhe krime të papara mbi një popull të lashtë dhe liridashës, është thënë në këtë mesazh, sipas të cilit vendimi politik për angazhimin e NATO-s në mbrojtje të popullit të Kosovës, duke ndëshkuar rëndë një politikë që ushtronte dhunë shtetërore sistematike, krime dhe gjenocid, është dëshmia më e mirë se vlerat e civilizimit evropian, liria dhe demokracia janë identiteti i pakapërcyeshëm që nuk lejohet të rrezikohen nga forcat e errëta me asnjë çmim.
Qytetarët e Kosovës, institucionet e lira dhe demokratike të shtetit më të ri të Evropës u janë mirënjohës të gjithë liderëve botërorë, politikë dhe ushtarakë për për përkahjen e madhe dhe të parezervë në momentet më vendimtare, që kulmuan me çlirimin e vendit, duke krijuar kushte që Kosova të ndërtojë identitetin e vet shtetëror dhe demokratik.
Në bashkëpunim të ngushtë me bashkësinë ndërkombëtare dhe duke përfaqësuar gjithnjë vullnetin politik të qytetarëve të Kosovës, institucionet legjitime tejkaluan fazën emergjente të pasluftës, tranzicionin demokratik, duke finalizuar aktin historik të shpalljes së pavarësisë së Kosovës, është shtuar në këtë mesazh.
Njëmbëdhjetë vjet pas intervenimeve të NATO-s, Republika e Kosovës ka shënuar hapa të rëndësishëm drejt demokratizimit dhe zhvillimit të brendshëm, drejt afirmimit dhe njohjes nga shtetet e demokracisë së zhvilluar. Institucionet e Kosovës janë të përkushtuara dhe të përcaktuara vendosmërisht që sa më parë të përmbushin të gjitha kriteret dhe parakushtet për tu bërë pjesë e integrimeve euroatlantike, është thënë në mesazhin e Kryeministrit të Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi.