Integrimi i të riatdhesuarve në Kosovë mision i pamundur!
Prishtinë, 22 korrik - Një numër i madh i qytetarëve te Kosovës , sidomos kohëve të fundit po largohet nga Kosova përmes rrugëve ilegale ( trafikim me qenie njerëzore) në kërkim të një të ardhmeje më të mire dhe më të sigurt .Arsyeja pse largohen nga Kosova , kryesisht është e natyrës ekonomike dhe mungesa e perspektivës .
Në disa shtete të Evropës numri i azilkërkuesve kosovarë është shumë më i lartë se i atyre nga Siria, Iraku, Eritreja dhe vatrave tjera të krizës ku pasiguria politike rrezikon jetët e qytetarëve të atyre shteteve që janë të përfshira në luftëra dhe konflikte të armatosura.
Në Kosovë , situata e sigurisë nuk mund të përdoret si fakt për kërkim të azilit në shtetet e tjera sepse nuk ka dhunë dhe përndjekje për shkak të bindjeve apo veprimit politik. Për këtë arsye shumica e shteteve evropiane e konsiderojnë Kosovën si vend të sigurt andaj refuzojnë lejeqëndrimin për azilkërkuesit nga Kosova. Që problemi të jetë edhe më i ndërlikuar edhe një numër i madh i azilkërkuesve kosovarë që kanë qëndruar edhe më shumë se 10 vite në këto shtete e që u është refuzuar leja për qëndrim po kthehen dhunshëm në Kosovë , pa u siguruar as kushtet elementare për jetesë e që në masë të madhe e pengon e në shumë raste edhe e pamundëson integrimin e tyre në shoqëri dhe të cilët pastaj përsëri kthehen ne shtetet nga janë dëbuar apo në shtetet e tjera.
Shtetet që i kthejnë azilkërkuesit që u është refuzuar strehimi nuk kanë një program që do të ndihmojnë azilkërkuesit e as Kosovën prandaj edhe po përballen me këtë numër aq të madh të atyre që kërkojnë azil. Qeveria e Kosovës , përkatësisht Ministria për Punë të Brendshme ka një Fond për integrimin e të riatdhesuarve i cili më tepër është një fond emergjent për një periudhë 12 muajshe, se një fond që krijon parakushte për integrim të suksesshëm të kthyerve. Qeveria e Kosovës nuk ka kapacitete dhe mundësi të bëjë integrimin e një numri aq të madh të kthyerve përkundër presionit që u bëhet nga shtetet e BE-së e që këtë e kushtëzojnë me procesin e liberalizimit të vizave. Qeveria e Kosovës detyrohet ti pranojë të gjitha kushtet e shteteve të BE-së për eliminimin e emigrimit të qytetarëve të Kosovës si kusht për liberalizim të vizave dhe proceset tjera integruese.
Në këtë mënyrë Qeveria e Kosovës , duke marrë përsipër detyrime që nuk ka mundësi ti plotësojë po ndikon në thellimin e krizës humanitare në Kosovë e cila reflekton pastaj edhe në situatën e sigurisë.
Atyre që u është refuzuar lejeqëndrimi përkundër faktit që kanë qëndruar më shumë se 10 vite, e kanë shkëputur lidhjet me vendin e origjinës, i kanë shitur pronat apo nuk u janë rinovuar pronat nga dëmet e luftës, kanë probleme me dokumentacionin e pronësisë, fëmijët e tyre kanë harruar gjuhën amtare dhe kanë probleme të integrohen në sistemin arsimor, nuk kanë vende të punës ndërsa vala e fundit e azilkërkuesve kosovarë kanë shitur pronat apo kanë hyrë në borxhe për tu larguar nga Kosova dhe tash riatdhesohen si raste sociale prandaj , pas një pushimi të shkurtër përsëri largohen drejt vendeve perëndimore. Kosova, në kontekstin aktual ekonomiko-social prodhon një paqëndrueshmëri politike prandaj, në mungesë të projekteve zhvillimore për hapjen e vendeve të punës, zbutjrs së varfërisë do të ketë të pamundur ta bëjë integrimin e të riatdhesuarve kurse vendet perëndimore, nëse nuk ndihmojnë zbutjen e papunësisë (50-60%) të varfërisë (të skajshme 18%) dhe e përgjithshme 50% dhe në të ardhmen do të përballen me problemin e azilkërkuesve nga Kosova.
KMDLNj ka monitoruar kthimin dhe integrimin e të riatdhesuarve në Kosovë dhe mënyra si është vepruar deri më tani, duke i sistemuar në skema sociale për 12 muaj, jo që nuk i siguron kushte për një integrim të qëndrueshëm por vetëm sa e thellon krizën humanitare në Kosovë. Kthimi i pakontrolluar dhe jo i menaxhuar mirë i azilkërkuesve kosovarë ka ndikuar edhe në situatën e sigurisë përmes rritjes së kriminalitetit shkaku se një numër i të kthyerve janë kthyer në Kosovë nga burgjet dhe institucioneve korrektuese të shteteve perëndimore.
Përfundimisht Kosova mund të konsiderohet si vend i sigurt në kontekstin politik ku nuk ka përndjekje për shkak të bindjeve politike por mund të konsiderohet si vend i pasigurt për shkak të kushteve të rënda ekonomiko-sociale, mungesës së perspektivës sidomos për të rinjtë, korrupsionit të lartë, shtrirjes në masë të gjerë të krimit të organizuar, trafikimit me qenie njerëzore dhe dukurive të tjera negative në luftimin e të cilave autoritetet ndërkombëtare kanë pasur përgjegjësi ekzekutive por se kjo gjendje nuk ka ndryshuar në aspektin pozitiv. Si kategori më e rrezikuar në këtë kontekst janë komuniteti rom, grupet e margjinalizuara dhe shtresat e varfërua skajshmërisht.