Integrimet evropiane janë të një rëndësie të veçantë për Kosovën
Prishtinë, 29 shkurt - Kryetari i Kuvendit të Republikës së Kosovës, dr. Jakup Krasniqi, kishte sot një takim me ish-presidentët e Shqipërisë, Alfred Moisiu dhe Rexhep Meidani.
Temë thelbësore e këtij takimi ishin zhvillimet aktuale në Kosovë, sidomos pas dhënies së dritës së gjelbër për studimin e fizibilitetit të Kosovës nga ana e Komisionit Evropian.
Në këtë frymë u tha se në këto procese nëpër të cilat po kalon vendi, është e rëndësishme që Kosova të kryejë detyrat e saj, që do të kontribuojnë drejt integrimeve evropiane.
Në këtë vështrim është me peshë fakti që Kosovën e kanë njohur një numër i madhe vendesh, por në këtë aspekt mund dhe duhet të bëhet edhe më shumë, që procesi i njohjeve të ecë edhe më tutje, duke ditur efektet shumë të mira që kanë njohjet.
Në këto procese, u tha se bashkëpunimi me Shqipërinë duhet të thellohet edhe më, sepse ajo ka resurse e mundësi për të bërë më shumë në afirmimin e pavarësisë së Kosovës dhe nevojës së njohjes së saj sa më gjerë në botë, si një realitet.
Gjatë këtij takimi kryekuvendari i njohu ish-presidentët e Shqipërisë edhe me punën që po bëhet në Kosovë lidhur me reformën zgjedhore dhe kushtetuese.