Instituti Gjyqësor do të transferohet në Akademi të Drejtësisë
Prishtinë, 16 maj - Zëvendëskryeministri dhe ministri i Drejtësisë, Prof. Dr. Hajredin Kuçi, priti në takim Bordin e Institutit Gjyqësor të Kosovës, të kryesuar nga kryetari i Bordit, njëherësh kryetar i Gjykatës Supreme të Kosovës, Fejzullah Hasani.
Në këtë takim, u bisedua për forcimin e Institutit Gjyqësor të Kosovës dhe për transferimin e këtij instituti në Akademi të Drejtësisë.
Më këtë rast, ministri Kuçi tha së janë pajtuar me anëtaret e Bordit, për transferimin dhe shndërrimin e Institutit Gjyqësor në Akademi të Drejtësisë.
Me bordin arritëm një pajtueshmëri, që Instituti Gjyqësor i Kosovës të transferohet në mënyrë të ngadalshme, në një Akademi të Drejtësisë. E kemi diskutuar me Këshillin Gjyqësor, Këshillin Prokurorial, Gjykatën Supreme, që përgatitja për gjyqtarë, për prokuror, për ndërmjetësues, për noter, por edhe për provimin e jurisprudencës, të vihen në një kulm, në një shtëpi, dhe ajo do ta ketë emrin Akademia e Drejtësisë, tha ministri Kuçi.
Sipas ministrit Kuçi, hapi i parë në këtë drejtim do të jetë ndryshimi i ligjit të Institutit Gjyqësor, ku do të ketë një grup të përbashkët punues, që brenda këtij viti, do të përgatisin infrastrukturën legale, ndërsa në vitin 2012, do të bëjnë përgatitjen e infrastrukturës logjistike, e në vitin 2013, të fillojë puna e Akademisë së Drejtësisë.
Ndërsa, kryetari i Bordit të Institutit Gjyqësor, Fejzullah Hasani, tha së falë mbështetjes së ministrit Kuçi, do të fillojnë punët në avancimin e Institutit Gjyqësor të Kosovës.
Ne do ti marrim përvojat në regjion dhe do të shohim së si do të na përshtaten ato përvoja ne, për krijimin e Akademisë së Drejtësisë, e cila do të përgatis kuadro, për funksionim sa me të mirë të sistemit të drejtësisë.
Për rëndësinë e krijimit dhe rolin që do ta luaj Akademia e Drejtësisë, foli edhe kryetari i Këshillit Gjyqësor të Kosovës, Enver Peci dhe profesori i Fakultetit Juridik të Universitetit të Prishtinës, Rexhep Murati.
Ministri Kuçi, po sot priti në takim edhe Anëtaret e Komisionit të Provimit të Jurisprudencës, me të cilët bisedoi për mundësit e organizimit sa më të mirë të këtij provimi dhe i njoftoi ata, për punët që do të fillojnë në krijimin e Akademisë së Drejtësisë.