Institucioni i Avokatit të Popullit lanson strategjinë e punës
Publikimi i strategjisë u bë përmes një organizimi të kombinuar fizik e virtual, në të cilin morën pjesë zyrtarë të lartë të institucioneve publike, ambasadorë të akredituar në Prishtinë, përfaqësues të organizatave ndërkombëtare, të shoqërisë civile dhe të mediave.
Avokati i Popullit z. Naim Qelaj tha se strategjia ka për qëllim po ashtu rritjen e ndërgjegjësimit dhe të informimit të qytetarëve për mandatin, rolin dhe përgjegjësitë e institucionit, sigurimin e transparencës, rritjen e efikasitetit dhe efektivitetit të punës, si dhe rritjen e kapaciteteve profesionale dhe administrative të tij.
“Risi dhe hap fillestar është nisma e paraparë në strategji për promovimin e Objektivave të Zhvillimit të Qëndrueshëm dhe lidhja e tyre me të drejtat e njeriut nëpërmjet treguesve të matshëm që planifikohen të organizohen përmes mbledhjes së avancuar të të dhënave”, tha Qelaj.
Identifikimi dhe hetimi i rasteve Ex-officio, shkeljet sistematike të të drejtave të njeriut, ngritja e numrit të hetimeve dhe shqyrtimi efektiv i rasteve individuale janë synime në të cilat do të përqendrohen kapacitetet institucionale.
Avokati i Popullit u bëri ftesë institucioneve publike, bashkësisë ndërkombëtare dhe shoqërisë civile, që t’u bashkohen aktiviteteve të institucionit me qëllim të promovimit dhe të mbrojtjes së të drejtave të njeriut, si dhe ndërgjegjësimit të publikut për rolin dhe mandatin e IAP-së. Ai gjithashtu falënderoi Zyrën e BE-së në Kosovë për mbështetjen që i ka dhënë institucionit në hartimin e strategjisë dhe në zbatimin e saj.
Aktivitetet kryesore të parapara në Strategjinë dhe Planin e Veprimit u shpalosën gjatë tryezës nga drejtoresha e Departamentit për Bashkëpunim, Raportim dhe Promovim të të Drejtave të Njeriut, znj. Valbona Puka Gola.
Prezantimi i strategjisë u pasua me diskutim nga përfaqësues të institucioneve publike, të ambasadave, të organizatave ndërkombëtare si dhe të shoqërisë civile, të cilët mirëpritën planin strategjik të IAP-së dhe shprehën gatishmërinë e tyre për të kontribuar në zbatimin e aktiviteteve specifike.