Institucioni i Avokatit të Popullit do të monitorojë zgjedhjet
Prishtinë, 26 tetor - Institucioni i Avokatit të Popullit (IAP) ka njoftuar se në përmbushje të misionit të tij për të mbrojtur, mbikëqyrur dhe promovuar të drejtat dhe liritë e individit , do të jetë pjesë aktive e monitorimit të Zgjedhjeve lokale të 3 nëntorit 2013.
\"Duke pasur parasysh numrin e madh të vendvotimeve gjithandej nëpër Kosovë, si dhe rëndësinë e bashkëpunimit më shoqërinë civile në monitorimin e këtyre vendvotimeve, në një takim të përbashkët me Koalicionin e Organizatave Joqeveritare Demokracia në Veprim, është arritur në parim pajtimi i dyanshëm për të bashkëpunuar ngushtë gjatë ditës së zgjedhjeve, qoftë në monitorimin e vendvotimeve dhe procesit të votimit, qoftë në shkëmbimin e informacioneve nga qendrat e votimit\", theksoi njoftimi i Avokatit të Popullit.
Tashmë zyrtarë të IAP-së janë certifikuar si monitorues nga ana e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ) dhe ditën e zgjedhjeve ata do të jenë pjesë e ekipeve lëvizëse që do të monitorojnë procesin zgjedhor nëpër qendrat e vendvotimeve.