23 Janar 2025

Institucionet së shpejti të themelojnë Gjykatën Speciale

Prishtinë, 12 korrik -  Presidentja e Republikës së Kosovës, Atifete Jahjaga, priti sot në takim ndihmës sekretaren e shtetit të SHBA-së, zonjën Victoria Nuland, me të cilën bisedoi për zhvillimet aktuale në Kosovë, përkushtimin e institucioneve të Kosovës për sundimin e ligjit dhe të rendit dhe krijimin e Gjykatës Speciale, sfidat në luftën kundër ekstremizmit dhe radikalizmit dhe përshpejtimin e procesit të integrimeve evropiane.

Presidentja Jahjaga theksoi se institucionet e vendit dhe qytetarët e Kosovës janë të përkushtuar në ndërtimin e shtetit të së drejtës dhe në veçanti në përmbushjen e obligimeve të marra ndërkombëtare dhe se pret që institucionet së shpejti të themelojnë Gjykatën Speciale për t\'i adresuar akuzat e ngritura nga raporti i Këshillit të Evropës dhe për të shmangur që një hap i tillë të merret nga Këshilli i Sigurimit i OKB-së.

Duke folur për procesin e dialogut me Republikën e Serbisë, Presidentja Jahjaga theksoi se Kosova është e përkushtuar në këtë proces dhe kërkon zbatim konkret të të gjitha marrëveshjeve të arritura. Ajo tha se shkalla e zbatimit të marrëveshjeve duhet  të jetë kushtëzim për rrugën evropiane të Serbisë, e cila edhe më të tutje vazhdon të mbështes strukturat ilegale serbe në Kosovë.

Presidentja Jahjaga theksoi se konsolidimi ndërkombëtar i shtetit të Kosovës është i rëndësishëm dhe vlerësoi se rruga evropiane e saj, sikundër edhe I gjithë rajonit të Ballkanit duhet të jetë e qartë  dhe e sigurt, për të  mos lejuar ndikime të tjera të jashtme.

Ajo tha se Kosova duhet të trajtohet në mënyrë të barabartë dhe njëlloj me shtetet e tjera të Ballkanit në procesin e integrimeve evropiane dhe theksoi përkushtimin e plotë të institucioneve të vendit në përmbushjen e të gjitha standardeve dhe kushteve në rrugën evropiane.

 

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)