Institucionet e pavarura ankohen në Kushtetuese për ndërhyrje të Qeverisë
Prishtinë, 24 maj - Institucionet e pavarura janë ankuar në Gjykatën Kushtetuese për ndërhyrje të Qeverisë.
Në vlerësimin e tyre, statusi është duke u cenuar nga përcaktimi i ekzekutivit që edhe ato ti nënshtrohen procesit të standardizimit dhe unifikimit të titujve të vendeve të punës dhe përshkrimit të detyrave të punës sipas një katalogu të hartuar në këtë fillimvit, shkruan sot Koha Ditore.
Tek gardiani i kushtetutshmërisë, çështjet i ka ngritur Avokati i Popullit, nëpërmjet një kërkese që mban datën 29 prill.
Me anë të saj i është kërkuar Gjykatës të vlerësojë kushtetutshmërinë e veprimeve dhe kërkesave të Qarkores Administrative që Qeveria e ka nxjerrë në janar, me të cilën kërkohet zbatimi i Rregullores për klasifikimin e vendeve të punës në shërbimin civil dhe Katalogut të vendeve të punës, po në këtë shërbim.
Ministria e Administratës Publike ka kërkuar edhe nga institucionet e pavarura që të zbatojnë këto dokumente.
/Koha Ditore/