Institucione me legjitimitet të fortë
Prishtinë, 19 nëntor - Kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi, ka deklaruar se institucionet e reja duhet të kenë legjitimitet të fuqishëm qytetar dhe përfshirje gjithë etnike.
Në mbledhjen e sotme të qeverisë, Thaçi ka thënë se këto institucione duhet të kenë një agjendë të qartë për vazhdimin e zhvillimit ekonomik, luftën kundër fenomeneve negativ dhe vazhdimin e dialogut me Serbinë.
Kam besim të plotë se institucionet e reja do të ndërtohen në ditët e ardhshme dhe duhet të kenë legjitimitet të fuqishëm qytetar si dhe përfshije gjithë etnike. Natyrisht se duhet të kemi një agjendë të qartë për vazhdimin e zhvillimit ekonomik, vazhdimin e krijimit të vendeve të reja të punës, vazhdimin e dialogut dhe implementimin e gjitha marrëveshjeve të arritura deri me tani në Bruksel, funksionimin me efektiv të rendit dhe ligjit, në luftë kundër korrupsionit, krimit të organizuar dhe gjitha fenomeneve tjera negative.
Duhet vazhduar betejën e pakompromis kundër çfarëdo ekstremizmi që mund të paraqitet në Kosovë, gjithnjë duke bashkëpunuar ngushtë me miqtë ndërkombëtar si dhe agjendat për vazhdimin e reformave rrënjësore dhe për përmbushjen kritereve për integrimin në NATO dhe BE, ka deklaruar Thaçi.
Pika e parë që mori aprovimin e kabinetit qeveritar ishte Rregullorja për ndryshimin dhe plotësimin e rregullores për caktimin e lartësisë së pagesës së shërbimeve dhe kontrolleve zyrtare të agjencisë së ushqimit dhe veterinarisë. Dispozitat e kësaj Rregulloreje zbatohen nga të gjithë prodhuesit vendor, importuesit dhe eksportuesit e miellit dhe prodhimeve të tij, duke përcaktuar lartësinë e pagesës për shërbimet e kontrollit fitosanitar në Pikat e Kalimit Kufitar.
Në mbledhjen e sotme u miratua edhe rregullorja për organizimin e brendshëm dhe sistematizimin e vendeve të punës në Agjencinë Kadastrale të Kosovës. Kjo rregullore ka për qëllim përcaktimin e organizimit të brendshëm dhe sistematizimin e vendeve të punës në Agjencinë Kadastrale të Kosovës.
Qeveria e Kosovës aprovoi Rregulloren për strukturën, organizimin dhe funksionimin e qendrave kulturore të Kosovës për diasporën dhe mërgatën. Me këtë rregullore përcaktohet struktura, organizimi dhe mënyra e funksionimit të Qendrave Kulturore të Kosovës për Diasporën dhe Mërgatën. Këto qendra themelohen me qëllim të ruajtjes dhe të kultivimit të identitetit kombëtar, gjuhësor, kulturor e arsimor të mërgimtarëve, si dhe forcimit të lidhjes së tyre me institucionet e Republikës së Kosovës.
Kabineti qeveritar mori vendim për ndryshimin dhe plotësimin e vendimit të Qeverisë përmes të cilit mjetet financiare që ndahen nga Rezervat e Qeverisë, shpenzimet e paparashikuara, të barten në Këshillin Gjyqësor të Kosovës, Sekretariati i Këshillit Gjyqësor, Kategoria ekonomike Mallra dhe Shërbime.
Vendimi që mori miratimin e kabinetit qeveritar ishte Vendimi Përfundimtar për shpronësim për interes publik me krijimin e të drejtës së servitutit të pronave të paluajtshme të pronarëve dhe zotëruesve të interesit të cilat preken nga ndërtimi i Linjës 400kV Kosovë-Shqipëri, Segmenti II-të 32 km, Zonat Kadastrale, Çikatovë e Vjetër, Arllat, Domanek, Gllobar, Krajkovë, Llapushnik, Negroc dhe Çikatovë e Re të Komunës së Drenasit dhe zonat Kadastrale Balincë, Vërmicë, Shkarashnik, Llashka Drenovc, Carrallukë, Mirushë, Dragobil, Burim dhe Gurbardh të Komunës së Malishevës.
Vendimi preliminar për shpronësim për Linjën 400kV Kosovë Shqipëri, Segmenti III, mori aprovimin e Qeverisë së Kosovës. Qëllimi i nxjerrjes së këtij Vendimi është miratimi i Vendimit Preliminar të kërkesës për shpronësim, për interes publik të pronave të paluajtshme të pronarëve dhe zotëruesve të interesit të cilat preken nga ndërtimi i Linjës 400kV Kosovë-Shqipëri, Segmenti III-të, 45 km, Zonat Kadastrale, Pastasellë, Polluzhë, Dubidoll, Zatriq, Qifllak dhe Rahovec të Komunës së Rahovecit, Zona Kadastrale Gramaqel, Komuna Deçan, Zona Kadastrale, Junik, Komuna Junik dhe Zonat Kadastrale Dubibare, Meqë, Bec, Kodrali, Zhdrellë, Janosh, Palabardh, Novosellë e Epërme, Dobrichë, Hereq, Sheremet, Nivokaz, Batushë, Molliq dhe Brovinë të Komunës së Gjakovës.
Pas kërkesës së Universitetit të Prishtinës, Qeveria e Kosovës mori vendim për ndarjen e mjeteve financiare në shumën prej 350 mijë eurove, për Universitetin e Prishtinës.
Kërkesa e Agjencisë Kosovare të Pronës për transfer nga shpenzimet kapitale në shpenzime komunale dhe mallra dhe shërbime duke u bazuar në Ligjin për Menaxhimin e Financave Publike, mori aprovimin e kabinetit qeveritar.
Zëvendëskryeministrja Edita Tahiri ka prezantuar një informatë për dialogun që është duke vazhduar në Bruksel, duke përmendur marrëveshjen e fundit të arritur, që ka të bëjë me vizitat zyrtare të të dyja shteteve, Kosovës dhe Serbisë, dhe hapjen e pikëkalimeve kufitare në Serbi për qytetarët e Kosovës, të cilat mund të shfrytëzohen si transit.
Zëvendëskryeministrja Tahiri ka sqaruar edhe njëherë se kalimi transit bëhet vetëm me dokumentet e Republikës së Kosovës.
Desha të sqaroj për qytetarët, që kalimi transit nëpër Serbi bëhet me lejet e njoftimit të shtetit të Kosovës, ashtu siç kanë drejtë reciprokisht edhe qytetarët e Serbisë të hyjnë në shtetin e Kosovës. Mirëpo, qytetarët e Republikës së Kosovës kur kalojnë transit nëpër Serbi duhet ti kenë pasaportat e shtetit të Kosovës, pra për ti shfrytëzuar për udhëtimet e tyre. Po e bëj këtë sqarim sepse në media kishte një dezinformatë të dalë nga zyrtarët e Serbisë ka deklaruar zëvendëskryeministrja Tahiri.
Zëvendëskryeministrja Tahiri poashtu ka bërë të ditur se po punohet intensivisht me Bashkimin Evropian për ndërtimin e ndërtesave të përhershme të IBM-it, si dhe për energjinë intensivisht po punohet në zbatimin e marrëveshjes.
Po vërehet një interesim më i madh i Serbisë për dialogun. Mendoj se është shumë i lidhur me kapitullin 35, që tashmë është bërë kusht për Serbinë, që rruga e Serbisë për në Bashkimin Evropian kushtëzohet me marrëdhëniet me Kosovën dhe me normalizimin e marrëdhënieve ndërshtetërore me Kosovën ka deklaruar Zëvendëskryeministrja Tahiri.
Ministri i Tregtisë dhe Industrisë, Ismet Mulaj ka prezantuar një njoftim për procesin e Brezovicës, ku konzorciumit francez-andorian-kosovar do të investojë 410 milionë euro dhe do të hapen 3050 vende të reja të punës.
Jemi të bindur që ky projekt është një prej projekteve më madhore të Kosovës së pasluftës në sferën e ekonomisë dhe, ardhja e investitorëve serioz nga sfera ndërkombëtare, do me thënë që Kosova ka një perspektivë të mirë ekonomike. Ky projekt do ta ndihmojë Kosovën me ndërtimin e imazhit të saj në sferën e ekonomisë ka thënë ministri Mulaj, duke bërë të ditur se ministria që drejton, në përputhje me Ligjin për Prokurimin Publik, në ditët në vazhdim do të fillojë të gjitha procedurat në harmoni me rekomandimet dhe udhëzimet e Komitetit Ndërministror, që të merr pëlqimin edhe nga KRPP-ja për këtë projekt.
Është miratuar ndryshimi dhe plotësimi i vendimit nr 3/204 të datës 5 nëntor, me kërkesën e kryesuesit të Këshillit Organizativ për Ceremoninë e rivarrimit të eshtrave të heroit kombëtar Isa Boletini, ministrit të Forcës së Sigurisë së Kosovës, Agim Çeku.
Këshilli pas disa takimeve, ka vendosur se datë më e përshtatshme për rivarrimin e eshtrave të heroit kombëtar Isa Boletini, të jetë 16 janar 2015, 99 vjetori i rënies, e jo 28 nëntor, për shkak që kjo të jetë një ngjarje në vete dhe në përputhje me jetën dhe veprën e heroit kombëtar Isa Boletini.