Iniciohet themelimi i Mekanizmit Kombëtar Kundër Torturës
Prishtinë, 22 janar - Kryetari i Kuvendit të Republikës së Kosovës, dr. Jakup Krasniqi, kishte sot një takim me drejtorin ekzekutiv të Këshillit për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive të Njeriut, Behxhet Shala,zëvendësen e parë të Avokat i Popullit,znj. Shqipe Ibraj Malaj, si dhe drejtoren ekzekutive të Qendrës Kosovare për Rehabilitimin e të Torturuarve, Feride Rushiti.
Me këtë rast ky delegacion njoftoi kryetarin Krasniqi me inicimin e themelimit të Mekanizmit Kombëtar Kundër Torturës, si dhe aktivitetet që janë duke u zhvilluar lidhur me këtë.
Standardet ndërkombëtare përcaktojnë që qeveritë duhet të krijojnë këso organizma monitorues profesional, të pavarur, funksional e apolitik , qëllimi kryesor i të cilave është parandalimi i torturës dhe trajtimeve ose ndëshkimeve tjera mizore,çnjerëzore e poshtëruese.
Në takim u fol edhe për vizitat që bëhen nga përfaqësuesit e këtyre institucioneve në organizata korrektuese etj.
Kryekuvendari Krasniqi përkrahu këto aktivitete rreth kësaj nisme të rëndësishme, e cila bazohet edhe në Konventën e OKB-ës kundër torturës që përcakton standardet e pranuara ndërkombëtarisht të të drejtave të njeriut për parandalimin e torturës dhe keqtrajtimit.