Iniciativa për të formuar një bllok opozitar ishte e Vetëvendosje!
Prishtinë, 13 qershor - Glauk Konjufca nga Lëvizja Vetëvendosje! ka thënë se iniciativa për të formuar një bllok opozitar, për tia pamundësuar PDK-së formimin e qeverisë së re, ishte e Vetëvendosje!-s.
Në këtë intervistë për Epokën e re, ai ka vlerësuar se, pasi është prezantuar kjo iniciativë, LDK-ja, AAK-ja dhe NISMA për Kosovën e kanë përkrahur. Ai ka treguar se edhe këto subjekte politike kishin të njëjtin qëndrim si të Lëvizjes Vetëvendosje! lidhur me qeverisjen Thaçi.
Iniciativa ka qenë e Lëvizjes Vetëvendosje! Kur kemi shkuar atje kemi hasur të njëjtin disponim. Pra, kur kemi folur me subjektet e tjera politike, ata kanë thënë se është e vërtetë ajo që ne po themi, dhe se edhe ato qëndrojnë në të njëjtat pozicione. Ndërsa ne u kemi thënë të bashkohemi dhe ta dërgojmë Hashim Thaçin në opozitë, ka thënë Konjufca.
Ai ka deklaruar se në këto takime i kanë paralajmëruar gjithë liderët e këtyre partive se, nëse shkojnë me Hashim Thaçin, do ta kenë fatin e AKR-së. Sipas Konjufcës, populli nuk i do subjektet politike që i nënshtrohen PDK-së.
Së pari u kemi thënë se kjo do të ishte e dëmshme për Kosovën, së dyti u kemi thënë se nëse shkojnë me Hashim Thaçin do ta kenë fatin e AKR-së, e cila vazhdimisht i ka qëndruar në prehër PDK-së dhe po i shohim rezultatet e sotme. Pra, populli nuk ka respekt për subjektet politike të cilat i nënshtrohen PDK-së, është shprehur Konjufca.
Ish-nënkryetari i Kuvendit të Kosovës ka pranuar se Lëvizja Vetëvendosje! do të ketë më lehtë të përballet me LDK-në e AAK-në.
Po kjo mund të jetë ndoshta edhe taktikë e Lëvizjes Vetëvendosje!, mirëpo ajo që është më parimore ka të bëjë me ndryshimin e pushtetit të deritashëm që e kemi prej vitit 2007, ka thënë ai.
Konjufca nuk i ka mohuar akuzat që kjo lëvizje ka bërë vazhdimisht ndaj LDK-së dhe AAK-së për korrupsion dhe për haraç.
Gjithçka që kemi thënë gjatë fushatës për Ramush Haradinajn dhe Isa Mustafën qëndrojnë. Ne nuk i ndërrojmë fjalët, mirëpo e keqja e Hashim Thaçit për 10 apo 15 për qind ua tejkalon të këqijave që i kemi artikuluar për taborin opozitar. Pra, e keqja e Hashim Thaçit ua mund këtyre, ka thënë Konjufca.
Ai ka treguar se për ta marrë votën e Vetëvendosje!-s qeveria e re e dalë nga opozita duhet ti plotësojë tri kushte: pezullimin e negociatave me Serbinë për një afat të caktuar kohor; pezullimin e shitjes së PTK-së; mosprivatizimin e Trepçës. Sipas Konjufcës, Lëvizja Vetëvendosje! nuk i ka vënë këto kushte të përfitojë vetë, por të përfitojë shteti i Kosovës.