01 Maj 2024

INDEP rekomandon që Kosova të mbetet një zonë zgjedhore

Prishtinë, 18 qershor - Instituti për Politika Zhvillimore (INDEP) prezantoi sot studimin “Opsionet për Reformën Zgjedhore në Kosovë,” një analizë e propozimeve për ndryshimin e sistemit zgjedhor në vend.

Studimi u prezantua në një tryezë diskutimi të organizuar nga INDEP dhe Friedrich Ebert Stiftung (FES). Debati i tryezës u fokusua në tri çështje qenësore për reformën zgjedhore në Kosovë, zonat zgjedhore, balancën e pushtetit në mes të atij qendror dhe lokal, dhe votimin preferencial.

“Nëpërmjet këtij punimi ne kemi synuar që të konsiderojmë të gjitha propozimet që janë dhënë deri tani për reformë zgjedhore, dhe të analizojmë pikat pozitive dhe negative të secilës për të gjetur një zgjidhje sa më të përshtatshme,” ka thënë Krenar Gashi, Drejtor Ekzekutiv i INDEP. 

Pas hulumtimit dhe analizave të propozimeve të shumë zonave zgjedhore, duke filluar nga gjashtë deri te 100, INDEP ka vërejtur që asnjë nga këto propozime nuk jep më shumë përfitime për qytetarin e Kosovës se sa dëme.

Përderisa argumentohet që shumë zona zgjedhore do të afrojnë deputetët me qytetarët dhe do të rrisin llogaridhënien, INDEP ka vënë në pah që këto sisteme nuk do të ruajnë peshën e votuesve nëpër zona, do të dekurajojnë votuesit e komuniteteve pakicë për të votuar, si dhe do të shkaktojnë probleme me balancën e pushtetit lokal dhe atij qendror.

Gjatë tryezës u prezantua edhe puna e Komisionit Parlamentar për Amandamentim të Ligjit për Zgjedhjet e Përgjithshme, ku kryetari i Komisionit, Haki Demolli foli për të arriturat dhe ngecjet e Komisionit gjatë kohës së rregullt të përcaktuar nga Kuvendi i Kosovës, si dhe gjatë mandatit shtesë.

“Do të kisha theksuar se puna jonë si në Komision por edhe në grupin punues zgjedhor është përshkruar me një frymë të mosbesimit në vetë dispozitat ligjore. Kemi analizuar çdo detaj në mënyrë që lëshimet eventuale në ligj të evitohen në ligjin e ardhshëm,” ka thënë z. Demolli.

INDEP shpalosi rekomandimet mbi këto çështje dhe kërkoi që Kosova të mbetet një zonë zgjedhore, ku votohet për një kandidat, me lista të hapura. INDEP gjithashtu propozoi që pragu zgjedhor të jetë 1% në mënyrë që pragu mos të dekurajojë për partitë e vogla dhe kandidatët e pavarur.

“Ne i kemi konsideruar dhe simuluar në detaj të gjitha skenarët e propozuar në bazë të rezultateve të zgjedhjeve të kaluara me fokus të veçantë në ruajtjen e peshës së votës të qytetarëve,” ka thënë Dita Dobranja, bashkautore e punimit.

INDEP përkrahet nga Fondi i Vëllezërve Rockefeller (RBF) dhe Qeveria e Mbretërisë së Bashkuar përmes Ambasadës Britanike në Prishtinë. Pjesë të këtij studimi janë përkrahur nga Friedrich Ebert Stiftung (FES).

Më  poshtë mund t\'i gjeni rekomandimet e INDEP, ndërsa punimi i plotë është i bashkangjitur.

Rekomandime

Dukë marrë parasysh gjithë analizën e modeleve të ndryshme të ndarjes së Kosovës në zona zgjedhore, Instituti për Politika Zhvillimore (INDEP) propozon që Kosova të mbetet një zonë e vetme zgjedhore, meqë secili opsion tjetër do të kishte më shumë pasoja sesa rezultate direkte në përmirësimin e nivelit të demokracisë.

Në mënyrë që kandidatët e pavarur dhe partitë apo iniciativat specifike qytetare të kenë pozitë të barabartë karshi forcave të mëdha politike, INDEP rekomandon që pragu zgjedhor të kthehet në kuotën natyrale prej 1%.

Sa i përket listave të kandidatëve dhe çështjes nëse ato do duhej të ishin të hapura, ku qytetarët do të mund të votonin drejtpërdrejt për kandidatë pos votës për subjektin politik, INDEP beson se kjo është një kategori kushtetuese e cila nuk duhet të ndryshohet.

Kushtetuta e Republikës së Kosovës e definon Kuvendin e Kosovës si një organ me 120 deputetë që zgjedhen me votim të fshehtë bazuar në listat e hapura. Termi listë e hapur, sipas definimeve të përgjithshme, është listë në të cilën votuesi ka influencë të vendosë se cilin kandidat do ta votoj drejtpërdrejt.

Ky sistem do siguronte përfaqësimin rajonal dhe lokal, dhe do të mbronte peshën e votuesit dhe të drejtat e komuniteteve dhe po ashtu nuk do të lejojë favorizimin e partive dhe rajoneve të caktuara.

Përfaqësimi dhe llogaridhënia do të mundësohen - me anë të listave të hapura, votimit për një kandidat dhe pragut natyral – votuesit zgjedhin drejtpërdrejt për kandidatët që i votojnë (një votues- një votë), dhe në këtë mënyrë sigurohet përfaqësim i drejtpërdrejtë.

Në anën tjetër me heqjen e pragut prej 5%, iniciativat rajonale e lokale, si dhe partitë e vogla inkurajohen për të kandiduar dhe u mundësohet garë e barabartë me partitë e mëdha për mandate në parlament.

Pesha e votës së secilit votues mbetet e njëjtë - kandidatët që fitojnë mandat në Kuvend, duhet të kenë numër minimal të votave të përafërt mes vete.

Kjo do të ishte në disbalanc në rast të aplikimit të zonave, ku dallimi në mes të votave të nevojshme për të fituar mandat në zona ku numri pakicave është i konsiderueshëm me votat e nevojshme për të fituar mandat në zonat ku nuk ka numër të madh të pakicave është substancial.

Në këtë mënyrë, proporcionaliteti do të ruhej dhe numri i votave do të pjesëtohej me numrin e deputetëve. Për të fituar një ulëse në Kuvendin e Kosovës duhen 1% të votave.

Kosova si një zonë zgjedhore gjithashtu i mbron të drejtat e komuniteteve sepse ato votojnë sipas preferencave të tyre në nivel kombëtar, duke mos pasur nevojë të deklarohen si komunitete pakicë (në rast të zonave virtuale).

Një zonë zgjedhore gjithashtu siguron garë në mes të partive minoritare për ulëset e garantuara në Kuvend të Kosovës. Kjo rritë demokracinë Brenda komuniteteve dhe gjithashtu siguron pjesëmarrjen e tyre në zgjedhje, gjë që nuk do të ndodhte në rast të ndarjes së Kosovës në zona zgjedhore.

Votimi dhe numërimi i votave nuk do të komplikohet. Fletëvotimet e thjeshta në të cilat votohet për një kandidat në një zonë, e bën jo vetëm më të lehtë votimin për qytetarët por edhe procesin e numërimit për Komisionin Qendror Zgjedhor.

Kjo gjithashtu zvogëlon koston e organizimit të zgjedhjeve, zvogëlon numrin e parregullsive dhe votave të pavlefshme, dhe në përgjithësi siguron një sistem të votimit shumë më lehtë të menaxhueshëm.

Votimi për një kandidat, siç ka rezultuar në të kaluarën në zgjedhjet komunale, zvogëlon dukshëm numrin e ankesave në Panelin për Ankesa dhe Parashtresa dhe po ashtu nuk lejon hapësirë për  ankesa brenda partiake në diskursin publik.

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)