INDEP: Reforma zgjedhore gjithëpërfshirëse por pa konsensus politik
Prishtinë, 24 maj - Instituti për Politika Zhvillimore (INDEP) të premten organizoi tryezë të rrumbullakët për të diskutuar procesin e reformës zgjedhore në Kosovë. Tryeza e diskutimit u bazua në punimin e INDEP Reforma Zgjedhore në Kosovë, punim i cili ka analizuar punën dhe zhvillimet rreth reformës zgjedhore në vend.
Problem që duhet ngritur dhe që e kemi si vërejtje ndaj Komisionit për ndryshimin e reformës zgjedhore është mungesa e amandamentimeve në ligj për sa i përket çështjeve për të cilat ka pasur konsensus në komision, tha Burim Ejupi nga INDEP, bashkë autor i punimit.
Në raport paraqitet puna e deritashme rreth përpjekjeve për reformën zgjedhore nga të gjithë aktorët e përfshirë. Vëmendje e posaçme i jepet debatit rreth reformës dhe impaktit të tij në mbarëvajtjen e procesit. Gjithashtu, u paraqitën pikëpamjet e shoqërisë civile rreth pikave të caktuara të reformës që ishin më të diskutueshme.
Megjithatë, në anën tjetër, qasja dhe debati gjithëpërfshirëses mund të cilësohen mjaft pozitive, ka shtuar Ejupi.
Të gjeturat kryesore të punimit thonë që puna e Komisionit për ndryshimin e ligjit ishte e suksesshme në spektrin e çështjeve teknike të procesit zgjedhorë. Sidoqoftë, çështjet thelbësore ishin subjekt i marrëveshjeve ndërmjet liderëve të partive politike, ku për shumicën e çështjeve nuk është arritur konsensus.
Ne si Komision i kemi identifikuar rreth 14 grupe të problemeve në ligjin ekzistues. Si probleme më të mëdha i kemi konsideruar listat e votimit, identifikimin e votuesve, procesin e numërimit dhe ndëshkimin. Tek kjo e fundit ne smund të ndikojmë pasi është çështje e organeve të rendit mirëpo kemi informata se vetëm 8% e shkelësve janë ndëshkuar me dënime me burg u shpreh zt. Haki Demolli, ish kryetari i Komisionit për reformën zgjedhore.
Subjektet politike po kujdesen vetëm të mbrojnë votat e tyre por jo votat e përgjithshme të qytetarëve. Ka manipulime të shumta brenda vet subjekteve politike, tha zt. Astrit Istrefi, udhëheqës i Saferworld për Evropën dhe Azinë Qendrore. Gjatë debatit u diskutua rreth çështjeve të ndryshme politike e teknike që e karakterizojnë procesin.
Punimi dhe tryeza janë mundësuar nga Saferworld.