Inaugurohet qendra e regjistrimit civil në Han të Elezit
Prishtinë, 3 nëntor - Në komunën e Hanit të Elezit është inauguruar objekti i Qendrës Komunale të Regjistrimit Civil.
Në këtë ceremoni morën pjesë zëvendësministri i Punëve të Brendshme, Izmi Zeka, kryetari i Hanit të Elezit, Rufki Suma dhe kryeshefi ekzekutiv i Agjencionit të Regjistrimit Civil, Blerim Camaj.
Me këtë rast, zëvendësministri i Punëve të Brendshme, Izmi Zeka, tha se kjo do të jetë një ndihmesë për qytetarët e Hanit të Elezit, të cilët tashmë mund të aplikojnë në qytetin e tyre për tu pajisur me dokumente civile të Republikës së Kosovës.
Kjo ditë është mjaft e rëndësishme për Hanin e Elezit, pasi që po bëjmë hapjen e një zyre mjaft të rëndësishme për qytetarët e kësaj ane. Falë bashkëpunimit dhe marrëveshjes me kryetarin e komunës, Rufki Suma, kemi arritur që sot të hapim këto zyra të regjistrimi civil dhe qytetarët tani nuk kanë nevojë të shkojnë për ti kryer shërbimet e tyre në komunën e Kaçanikut, tha zëvendësministri Zeka.
Ai shtoi se mbështetja e Ministrisë së Punëve të Brendshme, sa i përket përgjegjësive dhe kompetencave të saj, do të jetë e pakursyer për komunën e Hanit të Elezit.
Ndërsa kryetari i Hanit të Elezit, Rufki Suma, tha se komuna e Hanit të Elezit gjithnjë e më tepër ka zgjeruar kapacitet e saj në shërbim të qytetarëve dhe kjo dëshmohet me inaugurimin e Qendrës Komunale për Regjistrim Civil.
Me hapjen e QKRC-së, nga sot e tutje qytetarët e komunës tonë do të kenë mundësi që letërnjoftimet dhe pasaportat ti nxjerrin në komunën e Hanit të Elezit. Kjo është bërë falë mirëkuptimit dhe gatishmërisë së MPB-së, tha kryetari i Hanit të Elezit, Rufki Suma.