22 Janar 2025

Implementimi i Marrëveshjes për heqjen e barrikadës nga ura e Mitrovicës

Prishtinë, 19 tetor - Marrëveshja e Brukselit për heqjen e barrikadës dhe revitalizimin e urës së Ibrit ka nis zbatimin më 17 tetor 2015. Bashkimi Evropian përkatësisht Zyra e BE-së në Kosovë që është kompetent për zbatimin e kësaj marrëveshje ka nisur punimet e revitalizimit të urës e cila do të zgjasë deri në qershor të vitit tjetër kur ura e Mitrovicës do të hapet për lëvizje të plotë të lirë, për këmbësor dhe automjete.

Më këtë rast ministrja për Dialog dhe Kryenegociatore e dialogut teknik në Bruksel, Edita Tahiri, ka vlerësuar lartë nismën e zbatimit të kësaj marrëveshjeje duke theksuar rëndësinë e saj politike dhe të sigurisë për vendin tonë.

Ajo ka thënë se më 17 tetor 2015 ka nisur zyrtarisht heqja e barrikadës nga Ura e Mitrovicës, e cila pas një periudhe të gjatë të negociatave në Bruksel më në fund ka marrë rrugën e mbarë për të krijuar lëvizjen e plotë të lirë në Urën e Ibrit.

Ministrja Edita Tahiri ka theksuar se kjo është një ngjarje shumë e rëndësishme për vendin tonë sepse heqja e barrikadës nga ana e Bashkimit Evropian i jep fund ndarjes së Mitrovicës, dhe kjo urë prej një ure ndarëse po bëhet urë bashkimi për Mitrovicën dhe Kosovën.

Në kohën kur e fituam lirinë në 1999, mbase asnjëri nuk e kishte besuar se do të duheshin 15 vjet për ta bashkuar Mitrovicën, dhe nuk është se kanë munguar përpjekjet e qeverive të kaluara për ta realizuar këtë qëllim, mirëpo munguan rezultatet shkaqet e të cilave të gjithë i dimë. Prandaj, fal dialogut të Brukselit, qëllimi jonë u arrit, në frymë dialogu dhe në mënyrë paqësore. Tani e tutje Ura e Ibrit do të jetë si çdo urë tjetër në botë, një sinonim i bashkimit. Nuk do të ndjejmë më dhimbje kur përmendet ura e Ibrit por do të ndjejmë gëzim dhe liri ashtu siç e ndjejmë lirinë që e fituam pas një shekulli lufte e sakrificash të mëdha kombëtare, ka thënë ministrja Tahiri.

Tahiri ka vlerësuar se heqja e barrikadës dhe revitalizimi i urës do të sjellin stabilitet politik dhe siguri për të gjithë qytetarët, gjë e cila u dëshmua edhe me nismën e punimeve në këtë urë. Natyrisht, kërkohet një mirëkuptim dhe durim që punimet të përfundojnë me sukses dhe në qershor të vitit 2017, që të përjetojmë një fund për atë që nuk e deshëm dhe një fillim për atë që duam.

Ministrja Tahiri po ashtu ka folur edhe për hapat tjerë drejtë bashkimit të qytetit të Mitrovicës. Ajo ka thënë se Qeveria e Kosovës po punon për të konsoliduar bashkëpunimin mes dy komunave të Mitrovicës dhe në periudhën vijuese do të krijohet edhe Bordi i përbashkët për menaxhimin e çështjeve lokale, bord ky i paraparë me Planin e Ahtisarit.

Në lidhje me vijën administrative mes dy komunave, ministrja Tahiri theksoi se vija administrative mes Mitrovicës Jugore dhe Mitrovicës Veriore është e përcaktuar me ligjet e Kosovës dhe Planin e Ahtisarit dhe kjo vijë është mbi lumin Ibër në pjesën veriore të saj. Ministria e Ambientit dhe Planifikimit Hapësinor është kompetente për të përcaktuar zonat kadastrale të fshatrave Suhadoll dhe Kroi i Vitakut, sipas hartave të caktuara nga Plani i Ahtisarit, dhe ky proces po zhvillohet në bashkëpunim me kryetarët e dy komunave, për të cilën do të bëhet edhe një Memorandum mirëkuptimi. Ajo po ashtu ka thënë se, Qeveria e Kosovës siguron qytetarët e fshatrave Suhadoll dhe Kroi i Vitakut se do të respektohen ligjet e Kosovës në lidhje me vijën administrative mes dy komunave dhe se nuk ka vend për shqetësime në këto çështje.

Proceset e shtetndërtimit në një vend siç është Kosova me një histori lufte të rëndë dhe shkatërruese, po tregohen jo të lehta, por me një angazhim siç po e bëjmë si institucione shtetërore dhe partneritet me aleatët tanë ndërkombëtarë SHBA-të dhe BE-në, Kosova po dëshmon fuqinë e saj për të përballuar çdo sfidë drejtë vizionit për tu bërë një shtet euro-atlantik.

Me 15 tetor hiqet barrikada (“parku i paqes”) nga ura e lumit Ibër në Mitrovicë nga ana e BE-së.

Revitalizimi i Urës realizohet dhe financohet nga BE-ja, sipas një plani të dakorduar simetrik në të dyja anët e lumit Ibër. Ura do të hapet për automjete dhe këmbësor jo më larg se fundi i qershorit 2016.

Po ashtu, kjo marrëveshje i jep fund ndërtimeve të egra dhe pretendimeve serbe për të ndryshuar strukturën etnike në fshatrat e Suhadolit dhe Kroit të Vitakut, duke i dhënë mbështetje Memorandumit të Mirëkuptimit mbi Planin e Zhvillimit Komunal mes MAPH dhe dy kryetarëve të komunave të Mitrovicës,  në pajtim me hartat e linjave administrative të zonave kadastrale të të dyja fshatrave, të përcaktuara me ligjet e Republikës së Kosovës

BE dhe Grupi Punues do të monitorojnë rregullisht së bashku me dy kryetarët e komunave gjendjen politike dhe sigurisë  gjatë procesit të revitalizimit.

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)