IKD shpreh shqetësimin më pavarësinë e sistemit gjyqësor
Prishtinë, 10 korrik - Instituti i Kosovës për Drejtësi (IKD), shpreh shqetësim të thellë rreth ndikimit të procesit të negociatave politike në mes Prishtinës dhe Beogradit në pavarësinë e sistemit gjyqësor dhe prokurorial në Kosovë.
Emërimi i gjykatësve dhe prokurorëve sipas IKD-së është një nga proceset më të rëndësishme sa i përket pavarësisë dhe llogaridhënies në sistemin gjyqësor dhe prokurorial. Emërimi duhet të bazohet në kritere objektive dhe nuk duhet të jetë rezultat i negociatave politike.
\"Askush nga përfaqësuesit politik nuk mund të vendosë mbi procesin e emërimeve për gjykatësit dhe prokurorët në Republikën e Kosovës, pa respektuar Kushtetutën dhe Ligjet mbi emërimin e tyre\", thekson IKD.
Emërimin dhe shkarkimin e gjykatësve dhe prokurorëve në Republikën e Kosovës, mund ta bëjë vetëm Presidenti i Republikës, me propozim të Këshillit Gjyqësor dhe Këshillit Prokurorial të Republikës së Kosovës, respektivisht.
Andaj sipas IKD-së, çfarëdo propozimesh që mund të vijnë nga përfaqësuesit e tjerë ndikojnë drejtpërdrejtë në pavarësinë dhe paanshmërinë e sistemit të drejtësisë në Kosovë.
Çdo formë e ndikimit të ekzekutivit dhe legjislativit sa i përket përzgjedhjes dhe karrierës së gjykatësve dhe prokurorëve do të bie ndesh me ligjet përkatëse si dhe Kushtetutën e Republikës së Kosovës.
\"Në rast të ndikimeve politike, shumë qytetarë të Republikës së Kosovës do të diskriminohen, duke përfshirë ata qytetarë të cilët për vite të tëra kanë qenë të shantazhuar nga Beogradi që të mos angazhohen në sistemin gjyqësor dhe prokurorial të Republikës së Kosovës\", thuhet në njoftimin e IKD-së.
Të gjitha këto principe janë të theksuara edhe në Kapitullin VI Statusi i gjykatësve, përzgjedhja dhe karriera, të Rekomandimit CM/Rec (2010)12 të Komitetit të Ministrave të shteteve anëtare rreth gjykatësve: pavarësisë, efikasitetit dhe përgjegjësive.