IKD: Qeveria dështon në rishikimin e Projektligjit për Amnistinë
Prishtinë, 9 korrik - Instituti i Kosovës për Drejtësi (IKD), vlerëson se Qeveria e Republikës së Kosovës nuk ka adresuar problemet thelbësore që ndërlidhen me Projektligjin për Amnistinë.
Gjashtë pikat e adresuara nga IKD nuk përfillen as në projektligjin e rishikuar. As ky projektligj nuk i përmbahet qëllimeve të caktuara politike.
Kjo është pasojë e asaj se projektligji në fjalë prapë nuk i përmbahet principeve të përcaktuara në dokumente ndërkombëtare për zbatimin e amnistisë (raporti i Komisionerit të Lartë të Kombeve të Bashkuara për të Drejtat e Njeriut).
Projektligji i rishikuar përmban dështimet e njëjta me projektligjin i cili u debatua me 4 korrik 2013 në Parlamentin e Republikës së Kosovës, ku prapë nuk është përcaktuar data e fillimit, nuk është përcaktuar territori, nuk kemi argumentim të qëndrueshëm për veprat që do të amnistohen, mohohet e drejta për mjet efektiv ligjor, nuk janë specifikuar kategoritë e individëve, dhe nuk është bërë ndonjë kushtëzim që do e ndërlidhë këtë amnisti me të drejtën për të ditur të vërtetën.
Këto janë elementet kryesore të cilat do i japin formë qëllimit dhe projektligjit në tërësi. Pa këto elemente, projektligji do të jetë i mangët dhe me qëllim të mjegulluar.
Rrjedhimisht, deputetët e Kuvendit të Republikës së Kosovës duhet të kërkojnë përfshirjen e këtyre elementeve, përndryshe, projektligji më shumë do promovoj kriminalitetin në vend sesa integritetin territorial dhe integrimin e komunitetit serb në tri komunat në veri.
Këto gjashtë elemente nuk do e kufizojnë aspak kërkesën e personave të cilët në mënyrë paqësore kanë bërë thirrje për rezistencë, mirëpo do i kufizoj vetëm përfitimet e personave të cilët kanë kryer krime ordinere.
Devijimet e këtij projektligji nuk i përgjigjen gjendjes në terren dhe zhvillimeve politike, por më shumë ndërlidhen me amnistinë e krimit ordiner në gjithë territorin e Republikës së Kosovës.