IKD kërkon vazhdimin e reformave në sistemin e drejtësisë
Prishtinë, 27 tetor - Instituti i Kosovës për Drejtësi me shqetësim është duke përcjellur akuzat dhe kundër akuzat në mes të Ministrisë së Drejtësisë dhe Këshillit Prokurorial të Kosovës. Ku përmes kësaj qasje është duke u cenuar pavarësia e sistemit të drejtësisë në vend dhe po ashtu janë duke u vënë në rrezik ndërmarrja e reformave të nevojshme për sistemin e drejtësisë.
Vendimi i fundit i KPK për të ngrirë bashkëpunimin institucional me Ministrinë e Drejtësisë, sikurse edhe deklaratat politike të Ministrisë së Drejtësisë ndaj sistemit prokurorial cenojnë dhe dëmtojnë pavarësinë e sistemit prokurorial të garantuar me Kushtetutë dhe ligj, paraqesin pengesë për të promovuar sistemin e drejtësisë në Kosovë dhe zbatimin e reformave të filluara.
Kosova është duke kaluar përmes një fazë kritike që lidhet me tre procese të rëndësishme që kanë për qëllim përmirësimin dhe ngritjen e sistemit të drejtësisë në Kosovë, si procesi i Vettingut, zbatimi i Strategjisë për Sundimin e Ligjit dhe pakoja e ligjeve të sistemit prokurorial të Kosovës.
Vettingu - IKD vlerëson dhe mbetet pranë nismës së saj për ta përfshirë sistemin e drejtësisë në procesin e Vettingut, si proces pa alternativë. Si i tillë, ky proces kërkon dialog konstruktiv dhe të bazuar në fakte dhe mirëbesim në mes të partisë në pushtet në radhë të parë me partnerët ndërkombëtarë, pasuar me dialog konstruktiv dhe përmbajtjesorë me akterët e sistemit të drejtësisë, partitë politike opozitare dhe komunitetet jo-shumicë në Kosovë.
Strategjia për Sundimin e Ligjit - Miratimi i kësaj Strategjie mbetet një ndër sukseset më të mëdha në fushën e sundimit të ligjit nga viti 1999, në fushën e politik-bërjes. Miratimi i kësaj strategjie është përcjellur së paku në katër vitet e fundit më një dialog dhe bashkëpunim konstruktiv mes partive në pushtet me akterët e sistemit të drejtësisë dhe sigurisë në Kosovë, përfshirë ndihmën profesionale dhe financiare të partnerëve ndërkombëtarë. Strategjia parasheh qe zbatimi dhe monitorimi i zbatimit të saj realizohet nga Ministria e Drejtësisë në bashkëpunim të ngushtë me institucionet e sistemit të drejtësisë.
Pakoja e ligjeve të sistemit prokurorial - Pjesë e zbatimit të Strategjisë është plotësim ndryshimi i ligjeve të sistemit prokurorial, ku hyjnë ligjet për KPK, Prokurorin e Shtetit dhe Ligjin për Prokurorinë Speciale të Republikës së Kosovës. Përmes këtyre ligjeve dhe në bazë të objektivave të përcaktuara me Strategji synohet të rritet dhe përmirësohet llogaridhënia, integriteti, profesionalizmi, administrimi dhe menaxhimi efikas i sistemit prokurorial në Kosovë.
Të gjitha këto procese duhet të zhvillohen përmes bashkëpunimit, koordinimit dhe mirëbesimit të ndërsjellë në mes të institucioneve qeveritare, akterëve të sistemit prokurorial, partnerëve ndërkombëtarë, shoqërisë civile dhe publikut.
Fatkeqësisht, retorika e përdorur ditëve të fundit në mes të akterëve të caktuar të MD-së dhe sistemit prokurorial janë duke penguar zhvillimin e këtyre proceseve. IKD në vazhdimësi ka potencuar se sistemi i drejtësisë ka probleme serioze, të konfirmuara edhe përmes raporteve ndërkombëtare, të cilat kërkojnë intervenime të shpejta por përmes një procesi gjithëpërfshirës të bazuar në mirëbesim, bashkëpunim dhe koordinim institucional. IKD në pajtim me obligimet që dalin nga Kushtetuta e Kosovës, por edhe standardet ndërkombëtare dënon çdo deklaratë politike që cenon pavarësinë dhe integritetin e sistemit prokurorial, dhe që paraqet pengesë për të vazhduar me reformat e sistemit të drejtësisë.
Po ashtu IKD dënon qasjen e gabuar të institucioneve kushtetuese, siç është sistemi prokurorial, të cilat përmes bojkotit tentojnë të pengojnë po ashtu procesin e reformës së sistemit të drejtësisë.
Në këtë drejtim, IKD fton MD që të ndalojë me deklaratat politike që cenojnë pavarësinë e sistemit gjyqësor apo prokurorial dhe vazhdimësinë e reformave në sistemin e drejtësisë, të cilat përkojnë me pritjet e qytetarëve dhe partnerëve ndërkombëtarë. Po ashtu, IKD pret nga KPK që të ndal bojkotin e pjesëmarrjes në grupe punuese dhe takimet me akterë të sistemit të drejtësisë, përfshirë MD që për qëllim kanë miratimin e reformave të filluara.
Në këtë drejtim, IKD fton MD dhe KPK që me ndërmjetësimin e partnerëve ndërkombëtarë pa vonesë të caktojnë takim ku do të mënjanohen pengesat dhe konfirmojnë angazhimin e tyre ndaj reformave të nisura për të përmbushur obligimet e tyre kushtetuese dhe ligjore, por edhe pritjet e qytetarëve.