IKD analizon programet e partive politike
Prishtinë, 5 shkurt - Me 14 shkurt 2021, qytetarët e Kosovës do t’i drejtohen kutive të votimit për të zgjedhur deputetët e rinj të Kuvendit të Kosovës. Para se të vijë kjo ditë, qytetarët do të dëgjojnë premtime të panumërta nga partitë politike, në kërkim të votave të nevojshme për të dalë të parët në zgjedhje.
Tashmë është bërë e zakonshme që para secilit cikël zgjedhor, partitë politike që marrin pjesë në zgjedhje të dalin me programe të cilat më shumë tingëllojnë si fontanë dëshirash se sa plane të realizueshme në praktikë.
Një ndër pjesët kryesore të programeve të partive politike, i kushtohet sistemit të drejtësisë, konkretisht, reformave në drejtësi, luftimit të korrupsionit e krimit të organizuar e çka jo tjetër.
Plane të tilla dëgjojmë edhe nga parti politike që kanë qeverisur në vazhdimësi në Kosovë dhe i kanë pasur të gjitha mundësitë për t’i realizuar reformat në drejtësi por që për shkak të mungesës së vullnetit politik, një gjë të tillë nuk e kanë bërë asnjëherë.
Shumë pika programore të propozuara nga partitë politike janë në kundërshtim edhe me vet parimet kushtetuese në Kosovë dhe në kundërshtim edhe me praktikat ndërkombëtare. Ndërsa, pika të caktuara programore janë praktikisht të parealizueshme për shkak të rrethanave që deri diku nuk varen vetëm nga Kosova, por edhe nga procese të tilla sikurse anëtarësimi në Organizatën e Kombeve të Bashkuara.
Po ashtu, pjesë të “reformave” në drejtësi që janë përfshirë në programet e partive politike tashmë janë një realitet në Kosovë pasi që janë procese që veçse kanë përfunduar kurse, shumë pika tjera të programeve të partive politike janë vetëm konstatime të përgjithshme dhe abstrakte që nuk përmbajnë brenda vetes asnjë veprim konkret se si do të arrihet këto reforma të proklamuara.
Instituti i Kosovës për Drejtësi (IKD), ka analizuar programet politike të katër partive kryesore që do të marrin pjesë në zgjedhjet parlamentare të 14 shkurtit 2021. Kjo analizë është fokusuar tek pjesa e programit që ka të bëj me sistemin e drejtësisë. Analiza ka përfshirë partitë politike, Lëvizja Vetëvendosje, Partia Demokratike e Kosovës (PDK), Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) dhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK).
Për pikat kryesore që këto parti politike i kanë përfshirë në programin e tyre për sektorin e sundimit të ligjit, IKD ka dhënë edhe vlerësimet lidhur me atë se sa janë të realizueshme apo jo këto pika dhe sa nga to janë apo jo në pajtueshmëri me kornizën kushtetuese dhe ligjore në Kosovë. Po ashtu, IKD ka dhënë edhe vlerësimet për atë se cilat veprime janë të nevojshme për tu ndërmarrë për tu realizuar disa nga pikat e propozuara nga partitë politike dhe sa prej këtyre pikave tashmë veçse janë realizuar dhe ndërmarrja e veprimeve për çështje të njëjta është e panevojshme.