ICO: gjuha e përbashkët zgjedh presidentin
Prishtinë, 5 prill - Zyra Civile Ndërkombëtare në Kosovë beson që përmes komunikimeve konstruktive ndërmjet të gjitha palëve, Kosova do të mund të dalë nga situata politike e krijuar pas vendimit të fundit të Gjykatës Kushtetuese të Kosovës.
Pavarësisht qëndrimeve të kundërta ndërmjet partive në pushtet dhe atyre opozitare, zëdhënësi i ICO-së, Andy McGuffy, shfaqi besimin në gjetjen e gjuhës së përbashkët ndërmjet palëve të përfshira lidhur me zgjedhjen e presidentit të ri.
Është përgjegjësi e të gjithë deputetëve që të votojnë për kandidatin, për të cilin besojnë se do t`i shërbejë dhe do të mbrojë më së miri interesat e qytetarëve që i kanë votuar. Ne jemi të bindur se komunikimi konstruktiv ndërmjet të gjitha palëve, mund të çojë në zgjedhjen e presidentit, i tha McGuffy.
Megjithatë, partitë politike në pushtet dhe ato opozitare në Kosovë nuk arritën as gjatë së hënës të gjejnë një zgjidhje për zgjedhjen e presidentit të ri.
Ushtruesi i detyrës së presidentit të Kosovës, Jakup Krasniqi, paralajmëroi se që nga e mërkura do të nisë konsultimet me subjektet politike rreth zhvillimeve të fundit në vend.