17 Janar 2025

Ibish Ahmeti, kandidat i Vetëvendosjes për Therandë

Suharekë, 6 gusht - Qendra e Lëvizjes Vetëvendosje! në Suharekë mbajti konferencë për media me ç’rast publikoi emrin e kandidatit të Lëvizjes për Kryetar të Komunës së Suharekës, emër ky i dalë nga zgjedhjet e brendshme të organizuara paraprakisht.

Ditën e diel, 4 gusht, nga ora 10:00 e mëngjesit deri në ora 20:00 në mbrëmje, anëtarët e 9 pikave të Vetëvendosje!-s nga Theranda, kanë votuar për të zgjedhur kandidatin për kryetar komune.

Gjatë procesit të zgjedhjeve dhe numërimit të votave, nuk është vërejtur asnjë parregullsi.

“Rezultatet paraprake janë shpallur qysh ditën e diel. Pas përfundimit të afatit prej 24 orësh, pranë Komisionit Zgjedhorë ad hoc të Qendrës nuk është paraqitur asnjë ankesë. Në fund ne si komision vlerësojmë procesin e zgjedhjeve si të lirë dhe në përputhje të plotë me frymën e demokracisë së brendshme të statutit dhe rregullores për zgjedhjeve të brendshme të Lëvizjes Vetëvendosje!. Fitues i këtyre zgjedhjeve për kandidatin për Kryetar të Komunës së Suharekës është Dr.Ibish Ahmetin, i cili ka fituar 96.53 % të votave”, tha Arbër Rogova nga Komisioni Zgjedhor ad hoc i Qendrës.

Në fjalën e tij të rastit, kandidati për Kryetar të Komunës së Suharekës nga Vetëvendosje!, Dr.Ibish Ahmeti, tha se qytetarët e Komunës së Suharekës ballafaqohen me probleme të shumta, si  pasojë e keqqeverisjes nga të gjitha legjislaturat komunale të pasluftës.

“Personalizimi i pushtetit dhe institucioneve publike bashkë me korrupsionin dhe tenderomaninë, trajtimi jo i drejtë dhe jo i barabartë i qytetarëve, ndarja jo e drejtë dhe keqpërdorimi i buxhetit komunal,  tregojnë se këta pushtetarë kanë harruar se ata do të duhej të ishin në shërbim të qytetarëve e jo qytetarët në shërbim të tyre”, tha Ahmeti, duke shtuar se Theranda kishte një industri që dikur ishte e njohur në gjithë Jugosllavinë, e cila tani ekziston vetëm për përfitimet e atyre që e privatizuan dhe atyre që e ndihmuan privatizimin e saj.

Duke folur për shëndetësinë, që të dyja që është tejet degraduara në këtë komunë, Ahmeti shtoi: “Shëndetësia është e udhëhequr nga njerëz të politikës dhe vetëm për interesat e politikës. Punësimi në baza partiake dhe familjarizimi ka sjellë vetëm sasi, por jo edhe cilësi. Trajtimi jo dinjitoz i kuadrove mjekësore, sidomos mjekëve, ka bërë që një numër i madh i tyre të largohen jashtë”.

Kryetari i Lëvizjes, Albin Kurti, para të pranishmëve tha se Dr.Ibish Ahmeti e Qendra e Vetëvendosje!-s në Suharekë, janë zgjedhja e drejtë dhe e mirë për qytetarët e Suharekës. Duke folur për biografinë e kandidatit, Kurti shtoi se Dr.Ibish Ahmeti, ishte i frymëzuar nga bashkëfshatari i tij, tani heroi kombit, Besim Ndreca.

Nga viti 1993-94 nismëtar dhe pjesëmarrës në trajnimin e te rinjve për dhënien e ndihmës së parë në rrethana lufte, dhe organizator i grumbullimit të rezervave te medikamenteve dhe materialit sanitar për luftën eventuale.

Në vitin 1997, i bashkohet aktivisht UÇK-së, si mjek përgjegjës i batalionit II të brigadës 123, Zona Operative e Pashtrikut, dhe si përgjegjës i Spitalit Ushtarak të batalionit në Budakovë. Pas lufte ishte angazhuar shkurtimisht, në strukturat komunale në drejtorinë për shëndetësi dhe në udhëheqjen e shtëpisë së shëndetit. Tre vite i angazhuar në TMK si mjek i brigadës 323 e më vonë në zonën e II-të”, tha ndër të tjera Kurti. 

Theranda, e cila është dëmtuar shumë gjatë luftës, si dhe ka 102 dëshmorë nga vitit ’80 e tutje, Kurti tha se është ndëshkuar me stagnim ekonomik, me mjerim social, me degradim politik e kulturor pas luftës.

“Kjo është aq më e rëndë kur e dimë se Theranda në vitet ‘70 dhe ‘80 ka pas rritje e zhvillim në shumë aspekte. Në këtë periudhë, suksese të mëdha filloi të ketë edhe Industria e gomës "Ballkan"."

Gjer në vitin 1989, kur u vendosën masat e dhunshme dhe u larguan punëtorët shqiptarë nga puna, kjo ndërmarrje ishte bartëse e zhvillimit ekonomik në komunën e Suharekës, në të cilën punonin rreth 1.800 punëtorë, e ku prodhoheshin "Shirita transportues", "Rripa trapez", "Pëlhurë teknike" dhe "Gomë të imët teknike".

"Siç e dimë të gjithë, ndërmarrjet e privatizuara pas luftës e kanë reduktuar numrin e punëtorëve në minimumin e domosdoshëm, duke rritur eksploatimin e punëtorëve, keqpërdorimin dhe shfrytëzimin e tyre", theksoi Kurti me tutje.

Në mesin e këtyre sipas tij është edhe gjiganti i gomës në Suharekë "Ballkani" i cili me rreth 17 hektarë tokë, është shitur me një çmim përbuzës prej 1.4 milion eurosh. Në vend që të investohej e të rritej numri i punëtorëve, pronari i ri i ka shitur Viva Freshit 70 ari tokë për 1.5 milion euro, që i bie më shtrenjtë se që ka kushtuar i tërë gjiganti.

"Prej 860 punëtorëve sa kishte “Ballkani” në vitin 2006, u përgjysmua në 375 punëtorë, por jo vetëm kaq, edhe shumë të tjerë kanë humbur punën për shkak të maltretimit duke punuar me orë të stërzgjatura dhe  duke marrë paga jo të dinjitetshme, me mesatare prej 180 euro në muaj, si dhe për shkak të kushteve jo të sigurta në vendin e punës. Pas privatizimit, në këtë ndërmarrje kanë humbur jetën 2 punëtorë”, tha Kurti, duke theksuar se Alternativa Qeverisëse e Lëvizjes Vetëvendosje! edhe e zhvillon ekonominë, edhe e lufton korrupsionin, edhe e zvogëlon papunësinë, edhe e rrit barazinë.


 

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)