Hyseni merr pjesë në punimet e Asamblesë Parlamentare të KE
Strasburg, 2 tetor - Deputeti Hydajet Hyseni tha se Kosova është duke bërë të pamundurën që komuniteti serb ti gëzojë të gjitha të drejtat në përputhje me standardet ndërkombëtare, madje edhe më tej, ndërsa shtoi se edhe Lugina e Preshevës kërkon zgjidhje adekuate
Në Strasburg të Francës zhvillon punimet Sesioni IV i Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës, në të cilin merr pjesë edhe deputeti i Kuvendit të Kosovës, Hydajet Hyseni.
Në mbledhjen e Komisionit për Çështje Politike dhe Zhvillim Demokratik, të zhvilluar dje,në pikën 8, me temën në referim të raportit Situata në Kosovë dhe roli i Këshillit të Evropës, të kryesuar nga Björn von Sydow, kryesues i komisionit, pikëpamjet dhe qëndrimet rreth gjendjes në Kosove i paraqiti Thorbjørn Jagland, sekretar gjeneral i Këshillit të Evropës.
Përfaqësuesi i Kuvendit të Kosovës në Asamblenë Parlamentare të Këshillit të Evropës, deputeti Hydajet Hyseni, ndërkaq, në fjalën e tij para të pranishmëve theksoi të arriturat dhe ndryshimet pozitive që kanë ndodhur në Kosovë. Ai falënderoi sekretarin Jagland për prezantimin e tij të plotë, të dobishëm dhe proaktiv, në favor të një të ardhme paqësore, demokratike dhe evropiane për Kosovën dhe gjithë rajonin.
Deputeti Hyseni u shpreh i lumtur për progresin e prekshëm dhe përmirësimet praktike në të gjitha fushat në Kosovë. Ai tha se vizioni i Rezolutës së AP të KE-së është dëshmuar të jetë i drejtë dhe bazë e mirë për të ecur përpara.
Sot ne jemi dëshmitarë dhe të kënaqur që shumica e sugjerimeve dhe rekomandimeve të kësaj Rezolute janë realizuar në masë të madhe dhe po implementohen nga institucionet e Kosovës, ndërsa disa prej tyre, të cilat janë të një natyre afatgjate, janë në rrugën e duhur për tu zbatuar, theksoi deputeti Hyseni, ndërsa shtoi se Kosova është duke bërë përpjekje në drejtim të forcimit të infrastrukturës ligjore dhe institucionale të saj, të zhvillimit të strategjive dhe politikave në favor të sundimit të ligjit e të luftës kundër krimit të organizuar, korrupsionit, trafiqeve të paligjshme, me mundësi të barabarta për tregti të lirë dhe mjedis të mirë për investime.
Hyseni tha se demokracia e re e Kosovës në mënyrë të vendosur vazhdon të përparojë nëpërmjet hartimit dhe zbatimit të kuadrit të plotë dhe efikas ligjor, si dhe standardeve për të drejtat e njeriut, të drejtat e minoriteteve, të drejtave kulturore dhe fetare, me vëmendje të veçantë për komunitetin serb në Kosovë, veçanërisht në raport me pjesën ende të paintegruar në realitetin e ri.
Me objektivin tonë kryesor, integrimin euro-atlantik, udhëheqja e Kosovës ka dëshmuar një kooperativitet dhe fleksibilitet të skajshëm, por për suksesin e këtij procesi duhet angazhim i sinqertë i dy palëve, madje në rastin e Kosovës edhe të palës së tretë. Suksesi i marrëveshjes kërkon ratifikimin dhe zbatimin e saj nga të dy palët dhe jo politikën e standardeve të dyfishta dhe blofit politik, theksoi ndër të tjera deputeti Hydajet Hyseni.
Ai shtoi se Kosova është duke bërë të pamundurën në mënyrë që komuniteti serb ti gëzojë të gjitha të drejtat në përputhje me standardet ndërkombëtare, madje edhe më tej. Ndërkaq, Lugina e Preshevës, theksoi më tej Hyseni, kërkon po ashtu zgjidhje adekuate. Ai tha se situata në Luginën e Preshevës kërkon vëmendje dhe angazhim ndërkombëtar, si dhe të diplomacisë parandaluese.
Duke folur për aspiratën e Kosovës për integrime euro-atlantike, Hyseni theksoi se ky proces dhe standardet evropiane do të vazhdojnë të jenë qëllim i përbashkët. Ai tha se tërë infrastruktura legjislative dhe institucionale, është projektuar, planifikuar, përgatitur dhe bërë në partneritet dhe bashkëpunim të ngushtë me mekanizmat ndërkombëtare në Kosovë.
Asambleja Parlamentare e Këshillit të Evropës është duke vazhduar punimet e Sesionit dhe mbledhjet e komisioneve përkatëse, me tema të rëndësishme, midis të cilave është edhe çështja e të pagjeturve.