17 Maj 2024

Hyseni: Dialogun duhet ta përkrahin edhe deputetët e opozitës

Prishtinë, 7 dhjetor - Ish ministri i Jashtëm i Kosovës, Skender Hyseni ka thënë se normalizimi i marrëdhënieve me Serbinë është në interes të Kosovës.

Hyseni u shpreh se dialogun duhet ta përkrahin edhe deputetët e opozitës pasi alternativa e këtij procesi është lufta.

Po ashtu, sipas tij, strukturat ilegale serbe në Veri duhet të shpërbëhen si rrjedhojë e bisedimeve. Por pushteti në Veri duhet të shtrihet edhe me agresivitet.

Në pyetjen se përse LDK-ja ndryshoi qëndrimin, Hyseni tha: “Nuk jam dakort që LDK-ja ka ndryshuar qëndrimin. Më parë do të thosha se LDK-ja në një mbledhje të Kryesisë e ka trajtuar çështjen e dialogut në të gjitha dimensionet e tij.\"

\"Ka qenë ajo mbledhje e Kryesisë, e cila ka ndërtuar përfundimisht një qëndrim të qartë të LDK-së e që në esencë do të thotë që dialogu me Serbinë është i nevojshëm; normalizimi i marrëdhënieve midis Republikës së Kosovës dhe Republikës së Serbisë, si dy shtete të pavarura dhe sovrane, është në interes të Kosovës dhe rrjedhimisht çdo logjikë të thotë se ai dialog duhet të ndodhë”.

Ai ka theksuar se me Serbinë asnjëherë s’duhet të bisedohet statusi i Kosovës pasi pavarësia është çështje e mbyllur dhe LDK-ja e ka mbajtur këtë qëndrim se çështja e rregullimit të brendshëm të Republikës së Kosovës është zgjidhur njëherë e mirë në Vjenë në negociatat, që e kanë prodhuar Planin e Ahtisaarit.

“Pra, ka një plan gjithëpërfshirës, ka një Kushtetutë, prandaj LDK-ja kërkon që Kushtetuta të respektohet. Dialogu me Serbinë duhet të ketë për synim normalizimin e marrëdhënieve. Duhet ta kemi të qartë, ky normalizim nuk do të vijë brenda ditës. Do të marrë vite të tëra, mirëpo duhet të fillojë diku.\"

\"Do të jetë vështirë, por gjithsesi vështirësia e realizimit të një projekti, vështirësia e arritjes së një objektivi, një caku të caktuar nuk duhet t’ju pengojë që t’ia filloni punës. Kosova ka bërë mirë që bën dialog me Republikën e Serbisë për normalizim të marrëdhënieve midis dy vendeve të pavarura dhe sovrane”, tha ai.

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)