05 Maj 2024

Hungaria mund t’i ofrojë ndihmë Kosovës përmes përvojës së saj

Prishtinë, 22 dhjetor - Presidentja e Republikës së Kosovës, zonja Atifete Jahjaga priti sot Presidentin e Republikës së Hungarisë, Pál Schmitt  që ka ardhur në Kosovë për të vizituar trupat hungareze që shërbejnë në kuadër të misionit paqeruajtës të KFOR-it.

Presidenti Schmitt u prit me ceremoni  në Aeroportin e Prishtinës, ku ai parakaloi para Gardës Ceremoniale, i shoqëruar nga Presidentja Jahjaga.

Në vijim Presidentja Jahjaga e prit Presidentin Schmitt dhe delegacionin e Republikës së Hungarisë në kabinetin e saj, ku ata zhvilluan një bisedë të gjatë dhe miqësore.

Pasi e falënderoi për pritjen shumë të mirë gjatë vizitës shtetërore që Presidentja Jahjaga bëri në Hungari në muajin shtator, si dhe për kontributin e përgjithshëm të Hungarisë për Kosovën,  Presidentja Jahjaga tha se marrëdhëniet ndërmjet dy vendeve tona janë shumë të mira dhe këtë miqësi do ta vazhdojmë, sepse është në interes të dy popujve tanë dhe është në interes të paqes e të stabilitetit në rajon dhe më gjerë.

Presidentja e Republikës së Kosovës, zonja Atifete Jahjaga shprehu respektin për punën e angazhimin e ushtarëve hungarezë në kuadër të KFOR-it në Kosovë duke u shprehur urimet më të përzemërta për Kërshëndella për ta dhe për familjet e tyre.

Dy shtetet tona po punojnë që marrëdhëniet të jenë gjithëpërfshirëse dhe të shtrihen në të gjitha lëmit, si në ekonomi ashtu edhe në kulturë, arsim  dhe në shkencë, vijoi Presidentja Jahjaga.

Presidentja Jahjaga i shprehu Presidentit Schmitt falënderimet për angazhimin e tij dhe të shtetit hungarez për çështjen e Kosovës. Ajo tha se mosnjohja e shtetit të Kosovës nga pesë vendet e Bashkimit Evropian paraqet pengesa për rrugën e integrimit euroatlantik të Kosovës.

\"Si e keni thënë edhe Ju këto pengesa nuk janë se ka ndonjë politikë kundër Kosovës sepse as që mund të ketë ndonjë pikëpamje të tillë, porse shtetet që nuk e kanë njohur Kosovën kanë disa çështje të brendshme të tyre që mendojnë se janë të ngjashme me Kosovën dhe se njohja mund të nxisë procese të caktuara në vendet e tyre\", tha Presidentja Jahjaga, duke shtuar se Kosova është një rast i veçantë Sui Generis, që nuk ndërlidhet me asnjë rast tjetër as në Evropë e as në botë.

Në kuadër të BE-së sipas saj ka mjaft mekanizma dhe ka mundësi të gjenden edhe mekanizma të tjerë që sigurojnë të drejtat kolektive të popujve që kanë mbetur të jetojnë në territoret e veta jashtë shteteve amë.

\"Këta mekanizma së bashku me fqinjësinë e mirë janë tashmë standarde evropiane që ndihmojnë që e kaluara e keqe e hegjemonizmit dhe e shtypjes e e politikave të shkombëtarizimit të mos përsëritet kurrë më por që të gjithë popujt të jetojnë të barabartë të lirë dhe të dinjitetshëm\", tha ndër të tjera Presidentja Jahjaga.

Presidenti i Republikës së Hungarisë, Pál Schmitt, pasi përgëzoi Presidenten Jahjaga për punën që po bën, theksoi se ai dhe vendi i tij i japin mbështetje të plotë të gjitha proceseve në Kosovë.

Ai theksoi se marrëdhëniet mes Hungarisë dhe Kosovës janë shumë të mira, por ato duhet të intensifikohen dhe të thelohen edhe më tej.

Në këtë kontekst, ai përmendi angazhimin e Hungarisë në misionet ndërkombëtare në vendin tonë, si një kontribut konkret të këtij shteti për vendin tonë.

Presidenti Pál Schmitt tha se Kosova duhet të kryejë ë gjitha reformat në vend dhe të gjitha detyrat që dalin në rrugën e Kosovës drejt Bashkimit Evropian, duke shtuar se të gjitha vendeve të Ballkanit duhet t’u tregohet perspektiva e qartë evropiane.

Ai tha gjithashtu se Hungaria ka përvojën e saj në proceset integruese dhe mund t’i ofrojë ndihmë Kosovës përmes përvojës së saj.

Presidentja Jahjaga  e ftoi Presidentin e Hungarisë  Pal Shmit për një vizitë zyrtare shtetërore në Republikën e Kosovës, dhe ftesa u pranua me kënaqësi, si dhe shtroi një drekë për delegacionet e Kosovës dhe të Hungarisë ku ishin edhe ministri i mbrojtjes i Hungarisë dhe Ministri i Forcës së Sigurisë të Kosovës.

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)