Hungaria mbështet integrimin Kosovës në Bashkimin Evropian
Prishtinë, 28 shkurt - Kryetari i Kuvendit të Republikës së Kosovës, dr. Jakup Krasniqi, kishte sot një takim me ambasadorin e Hungarisë në Kosovë, Lorant Balla.
Me këtë rast ambasadori Balla përgëzoi kryekuvendarin Krasniqi për rizgjedhje në këtë post.
Në këtë frymë ai tha se Hungaria përshëndet formimin institucioneve të Kosovës të dala nga zgjedhjet e fundit.
Ambasadori vlerësoi lart bashkëpunimin ndërmjet parlamenteve të Hungarisë dhe Kosovës, duke propozuar edhe binjakëzim ndërmjet administratave të këtyre parlamenteve.
Në vijim ambasadori hungarez tha se Hungaria mbështet integrimin Kosovës në Bashkimin Evropian, ashtu siç përkrah edhe integrimin e të gjitha shteteve të tjera të Ballkanit në këtë bashkësi.
Po kështu, ambasadori Balla tha se Hungaria mbështet edhe liberalizimin e vizave për qytetarët e Kosovës.
Kryekuvendari Krasniqi falënderoi ambasadorin hungarez për urimet dhe vizitën, duke theksuar njëherësh se Kosova dhe Parlamenti kanë nevojë për mbështetje nga ana e Hungarisë, sepse kanë çka të mësojnë nga praktikat demokratike e parlamentare hungareze.
Bashkëbiseduesit ishin unik në konstatimin se parlamentet e Hungarisë dhe Kosovës kanë arritur një bashkëpunim shumë të mirë, duke uruar që ky bashkëpunim të jetë edhe më i gjerë e frytdhënës.