18 Janar 2025

Hoyt Yee: SHBA do që të shoh Kosovën si pjesë të BE-së

Prishtinë, 21 nëntor - Presidentja e Republikës së Kosovës, zonja Atifete Jahjaga, priti sot në takim zëvendës ndihmës sekretarin e shtetit të SHBA-së, zotëri Hoyt Yee.

Presidentja Jahjaga dhe zotëri Yee biseduan për zhvillimet aktuale në Kosovë, procesin e dialogut për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Republikës së Serbisë, atë të integrimeve evropiane për gjithë rajonin e Ballkanit dhe konsolidimin ndërkombëtar të shtetit të Kosovës.

Presidentja Jahjaga, duke i uruar mirëseardhje zëvendës ndihmës sekretarit të ri të shtetit të SHBA-së, vlerësoi marrëdhëniet e shkëlqyera me SHBA-në në të gjitha fushat dhe theksoi rëndësinë e përkrahjes së SHBA-së për zhvillimet demokratike në Kosovë.

Ajo tha se vazhdimi i pranisë së SHBA-së në Kosovë dhe në rajon është e një rëndësie të veçantë për të ardhmen e vendit dhe për paqen e stabilitetin në gjithë rajonin e Evropës Juglindore.

Duke vlerësuar intensitetin e marrëdhënieve ndërmjet vendeve të rajonit të Evropës Juglindore në vitet e fundit, presidentja Jahjaga tha se hapa të rëndësishëm në këtë rrafsh janë bërë posaçërisht me dialogun e zhvilluar ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Republikës së Serbisë, që është lehtësuar nga BE-ja.

Presidentja Jahjaga theksoi se dialogu ka dhënë rezultate me arritjen e marrëveshjeve që duhet të zbatohen në plotëni.

Ajo tha se pjesë e këtyre marrëveshjeve është edhe mbajtja e zgjedhjeve komunale edhe në pjesën veriore të territorit të vendit, të cilat i cilësoi si përgjithësisht të lira dhe të drejta dhe ku qytetarët kanë pasur mundësinë të votojnë për përfaqësuesit e tyre legalë e legjitim.

Ajo tha se qytetarët e komunitetit serb, edhe at anë veri të vendit, po e shfrytëzojnë të drejtën kushtetuese dhe ligjore dhe me këtë po përmbyllet procesi i integrimit të tyre në shoqërinë dhe institucionet e Kosovës.

Presidentja Jahjaga theksoi se zbatimi i marrëveshjeve të arritura në Bruksel, që çojnë drejt normalizimit të plotë të marrëdhënieve ndërmjet dy shteteve, duhet të mbikëqyret nga afër, sepse kjo do të hap rrugën e integrimeve për të dyja shtetet.

Presidentja Jahjaga tha se dialogu ndërmjet të dyja vendeve duhet të përmbyllet me nënshkrimin e një marrëveshjeje ligjore që do të mundësonte që Kosova dhe Serbia të vazhdojnë rrugët e tyre respektive drejt BE-së, duke mos e bllokuar njëra tjetrën.

Ajo tha se normalizimi i plotë duhet të bëhet përpara përfundimit të procesit të anëtarësimit të Kosovës dhe Serbisë në BE.

Presidentja Jahjaga theksoi se prania e SHBA-së në procesin e dialogut, përkrah lehtësuesit të tij në këtë rast BE-së, si dhe në të gjitha proceset e tjera për Kosovën është e domosdoshme.

Zëvendës ndihmës sekretari i shtetit i SHBA-së, zotëri Hoyt Yee, ndërkaq vlerësoi të arriturat e Kosovës dhe tha se SHBA-ja do të vazhdojë ta ndihmojë atë në proceset nëpër të cilat po kalon, dhe vlerësoi se Kosova duhet të vazhdojë të punojë në demokratizimin e vendit dhe të thellojë reformat e saj të brendshme.

Ai tha se SHBA do që të shoh Kosovën dhe gjithë rajonin e Ballkanit pjesë të BE-së.

 

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)