Hoxhiq: Zgjedhjet e nëntorit historike
Prishtinë, 16 gusht - Koordinatorja e Zyrës Administrative në veri, Adriana Hoxhiq, zgjedhjet e tre nëntorit i ka quajtur historike. Në një intervistë për Radio Kosovës, ajo i ka ftuar serbët e veriut që të marrin pjesë në zgjedhje pavarësisht mesazheve që vijnë nga qarqe të ndryshme.
Përderisa po afrohet periudha e zgjedhjeve në Kosovë, në pjesën veriore të Mitrovicës, te qytetarët përçohen mesazhe të ndryshme që kanë të bëjnë me pjesëmarrjen e serbëve në zgjedhje e 3 nëntorit.
Lidhur me këtë koordinatorja e Zyrës Administrative në veri, Adriana Hoxhiq, tha për Radio Kosovën se situata në atë pjesë të vendit vazhdon të jetë ende konfuze nga mesazhet që iu drejtohen brenda ditës qytetarëve.
Mesazhet janë të ndryshme. Paradite kemi një lajm që të gjithë duhet të dalim në zgjedhje pasdite dikush del dhe thotë se duhet t`i bojkotojmë zgjedhjet dhe qytetarët nuk dinë se çfarë të bëjnë. Por, qytetarët duhet ta shfrytëzojnë rastin sepse mendoj se këto zgjedhje janë historike dhe unë nuk besoj se do të kemi manipulime të mëdha.
Por, pavarësisht mesazheve që vijnë nga qarqe të ndryshme, qytetarët që jetojnë në pjesën veriore të Mitrovicës, janë të vendosur që të marrin pjesë në zgjedhjet e nëntorit. Madje, nga këto zgjedhje ata presin që klima e jetesës mes shqiptarëve dhe serbëve që jetojnë në atë pjesë të stabilizohet.
Po, unë do të dal në zgjedhje dhe shpresoj se pas këtyre zgjedhjeve do të definohen disa gjëra. Po ashtu shpresoj se ato gjërat do të lëvizin nga pika e vdekjes, deklaron një qytetar serb.
Klima ende është e paqartë por shpresoj se do të përmirësohet për të mirë në favor të popullatës serbe por edhe për të gjithë qytetarët e Kosovës, deklaroi një tjetër qytetar serb.
Në anën tjetër, edhe qytetarët shqiptar që jetojnë në fshatrat e veriut të Kosovës, janë të vendosur që me tre nëntor, masovikisht të marrin pjesë në zgjedhje.
Në votime ne do të dalim gjithsesi. Bile, kësaj radhe do të dalim më shumë. Ne gjithherë kemi marrë pjesë në zgjedhje, por në këto të nëntorit të gjithë do të dalim.
Ndërsa, sa i përket rolit të Zyrës Administrative në veri, në procesin zgjedhor, koordinatorja e kësaj zyre, Adriana Hoxhiq thotë se ende nuk ka marrë ndonjë detyrë që lidhet direkt me zgjedhjet e nëntorit.
/Radio Kosova/