Hoxhaj: Zgjedhjet e 3 nëntorit, sipas ligjeve të Kosovës
Prishtinë, 15 gusht - Ministri i Punëve të Jashtme i Republikës së Kosovës, Enver Hoxhaj, ka zhvilluar sot një takim me ambasadorin e Mbretërisë së Bashkuar në Kosovë, Ian Cliff.
Ministri Hoxhaj e ka informuar ambasadorin britanik për progresin e gjithanshëm në Kosovë, për avancimin e proceseve integruese evropiane, si dhe për fuqizimin e vazhdueshëm të subjektivitetit ndërkombëtar të Kosovës.
Lidhur me zhvillimit e fundit në Kosovë, Hoxhaj ka folur edhe për përgatitjet për mbajtjen e zgjedhjeve lokale të 3 nëntorit.
Në këtë kontekst, ai theksoi se këto zgjedhje, që do të zhvillohen në të gjithë territorin e Kosovës, do të mbahen në përputhje me ligjet në fuqi në Republikën e Kosovës.
Gjatë takimit, Hoxhaj ka shprehur mirënjohjen e popullit dhe Qeverisë së Kosovës për përkrahjen e vazhdueshme që Mbretëria e Bashkuar ka dhënë dhe po vazhdon të japë për Kosovën.
Ministri i Jashtëm i Kosovës po ashtu theksoi interesimin e Qeverisë së Kosovës për fuqizimin e mëtutjeshëm të marrëdhënieve bilaterale me Mbretërinë e Bashkuar, si një ndër partnerët kryesor strategjik të Republikës së Kosovës.
Ambasadori britanik në Kosovë, Ian Cliff, vlerësoi progresin në Kosovë, duke konfirmuar përkrahjen e mëtutjeshme të Mbretërisë së Bashkuar për Kosovën, me theks të posaçëm në proceset integruese.