Hoxhaj: Zgjedhjet e 3 Nëntorit etapë e re për Kosovën
Prishtinë, 18 shtator - Ministri i Punëve të Jashtme i Republikës së Kosovës, Enver Hoxhaj, ka pritur sot në takime të ndara ambasadorin e Austrisë në Kosovë, Johann Brieger, dhe ambasadorin e Hungarisë në Kosovë, Lorant Balla.
Gjatë takimeve, ministri Hoxhaj i ka njoftuar ambasadorët për progresin e vazhdueshëm që po arrihet në Kosovë, fuqizimin e shtetësisë dhe subjektivitetit ndërkombëtar.
Hoxhaj ka veçuar angazhimin e fuqishëm të Qeverisë së Republikës së Kosovës për përmbushjen e agjendës integruese evropiane.
Duke folur për proceset aktuale në Kosovë, Hoxhaj veçoi rëndësinë e zgjedhjeve të 3 Nëntorit, të cilat, siç u shpreh ai, do të hapin një etape të re integruese në Kosovë.
Ambasadori i Austrisë, Johann Brieger, dhe ambasadori i Hungarisë, Lorant Balla, kanë vlerësuar progresin e arritur në Kosovë, duke konfirmuar mbështetjen e shteteve të tyre për Kosovën.
Ministri Hoxhaj dhe ambasadorët Brieger dhe Balla po ashtu vlerësuan marrëdhëniet shumë të mira ndërshtetërore ndërmjet Kosovës me Austrinë, përkatësisht Hungarinë, duke shprehur vullnetin për avancimin e mëtutjeshëm të shkëmbimeve të gjithanshme ndërmjet vendeve.
Ministri Enver Hoxhaj, gjatë takimeve ka shprehur mirënjohjen e qytetarëve dhe Qeverisë së Kosovës për përkrahjen e madhe që Austria dhe Hungaria kanë dhënë për Kosovën, në të gjitha fazat.