16 Janar 2025

Hoxhaj vlerëson përkrahjen e Sllovenisë dhe Shqipërisë për Kosovën

Prishtinë, 21 maj - Ministri i Punëve të Jashtme i Republikës së Kosovës, Enver Hoxhaj, ka pritur sot në takime të ndara ambasadorin e Republikës së Sllovenisë në Kosovë, Jožef Hlep dhe ambasadorin e Republikës së Shqipërisë në Kosovë, Islam Lauka.

Ministri Hoxhaj dhe ambasadori Hlep, biseduan për thellimin e bashkëpunimit ndërmjet dy shteteve.

Hoxhaj ka vlerësuar lartë përkrahjen që po jep Sllovenia për Kosovën në proceset integruese evropiane, duke e konsideruar të rëndësishme për Kosovën mbështetjen dhe eksperiencën sllovene në procesin e Stabilizim Asociimit.

Ministri i Jashtëm i Kosovës, Enver Hoxhaj, duke u ndalur rreth forcimit të pozicionit rajonal dhe ndërkombëtar të Kosovës,  e vlerësoi po ashtu si shumë të rëndësishme përkrahjen e Sllovenisë në proceset e pjesëmarrjes së Kosovës në nismat rajonale dhe anëtarësimin në organizatat ndërkombëtare.

Ambasadori i Republikës së Sllovenisë në Kosovë, Jožef Hlep, ka shprehur përkushtimin e Sllovenisë për përkrahjen e Kosovës, me theks të veçantë në proceset integruese evropiane si dhe theksoi rëndësinë e implementimit të marrëveshjes për normalizimin e raporteve ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Serbisë.

Në këtë kontekst, ministri Hoxhaj theksoi përkushtimin e Qeverisë së Kosovës për implementimin e plotë të marrëveshjes, duke përjashtuar mundësinë e hapjes së temave të reja që dalin jashtë marrëveshjes. 

Ndërkaq, gjatë takimit me ambasadorin e Shqipërisë në Kosovë, Islam Lauka, ministri Hoxhaj ka theksuar angazhimin e fuqishëm të Kosovës për forcimin e gjithanshëm të bashkëpunimit bilateral dhe partneritetit strategjik me Shqipërinë.

Hoxhaj vlerësoi përkrahjen e Shqipërisë për Kosovën në proceset aktuale, e veçmas në forcimin  subjektivitetit ndërkombëtar.

Ministri Jashtëm i Kosovës foli edhe për zbatimin e marrëveshjes për normalizimin e raporteve ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Serbisë, duke shprehur vendosmërinë e Kosovës për zbatimin e kësaj marrëveshjeje në tërësi.

Ambasadori i Shqipërisë, Islam Lauka, ka shprehur përkrahjen e mëtejshme të Shqipërisë për forcimin e subjektivitetit ndërkombëtar të Kosovës, duke veçuar angazhimin e shtetit shqiptar për thellimin e bashkëpunimit në të gjitha fushat, me Republikën e Kosovës.

Ministri Hoxhaj dhe ambasadori Lauka kanë biseduar edhe për forcimin e bashkëpunimit në fushën e diplomacisë dhe të bashkëpunimit ndërmjet ministrive të jashtme të dy shteteve.

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)